E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e çamëve, Bakojanis: Të vendosë drejtësia

Ministrja e Jashtme theksoi se kushdo që ka probleme të kësaj natyre, duhet t'i drejtohet gjykatës

TIRANË- Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, ka treguar dyert e gjykatës, teksa është pyetur mbi pretendimin e çamëve për pronat në Greqi.

"Siç e dini, ka një sistem gjyqësor që merret me këto çështje, kështu, kushdo që ka problem të kësaj natyre, duhet t'i drejtohet gjykatës për të drejtat e tyre",- ka deklaruar dje Bakojanis në konferencën për shtyp, të zhvilluar me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha.

Dy ditë më parë, Shoqata e Shqiptarëve me Prona në Greqi, në një deklaratë për shtyp, ka kërkuar përshpejtimin e procedurave për kthimin e pronave të sekuestruara nga i ashtuquajtur "Ligji i Luftës", i 24 tetorit 1940.


"Me keqardhje konstatojmë se, ne, shtetasit shqiptarë me prona në shtetin helen, jemi në kushtet kur duhet të vëmë në dyshim besimin tonë tek Traktati i Miqësisë, i nënshkruar mes të dy vendeve në 1997-n. Ne mbetemi të pasigurt në realizimin e së drejtës sonë për pronën, që të parëve tanë iu sekuestrua si pasojë e Luftës Italo-Greke",- deklaroi dy ditë më parë Agim Kocillari, në emër të Shoqatës së Shqiptarëve për Prona në Greqi.


Ai shtoi se, duke besuar në lehtësimin e procedurave të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë që pretendojnë për prona në Greqi, qeveria greke duhet t'i heqë, për t'i lejuar ata të nisin procedurat lidhur me pretendimet e pronësisë para institucioneve greke. Por, përpos kërkesës së bërë publike, qëndrimi i ministres së Jashtme të Greqisë ka qenë i prerë, ndërsa, ashtu siç ndodh rëndom për çështje të tilla, nuk ka pasur asnjë koment nga ana e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›