E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi, dy reporterët takojnë deputetin Biberaj

Dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së zhvilluan mbrëmë vonë një takim me deputetin e PD-së, Biberaj


TIRANË- Dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë zhvilluar dje një takim edhe me deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili ka shprehur hapur kundërshtitë e tij lidhur me përjashtimin si kryetar i delegacionit shqiptar në KE nga ana e kryetares së Kuvendit Jozefina Toopalli.


Takimi është zhvilluar mbrëmë vonë, ndërkohe që mbi atë çfarë është diskutuar në këtë takim, Biberaj do ta bëjë publike vetëm sot.


Dy deputetët e Asamblesë Parlamentare të KE-së, kanë mbërritur dje në mesditë në Tiranë. Në vizitën dy ditore, dy deputetët, Jaakko Laakso (Finlandë) dhe David Wilshire (Angli), vijnë nën cilësinë e bashkëraportuesve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.


Ata kanë mision faktmbledhës dhe gjatë kësaj vizite, të dy raportuesit do të diskutojnë mbi ligjin e lustracionit, si dhe do të ekzaminojnë gjendjen parapërgatitore të zgjedhjeve të muajit qershor 2009.


Ashtu si edhe në takimin e mbrëmshëm me deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, dy reporterët kanë diskutuar mbi rastin e fundit të zëvendësimit të tij me Ilir Rusmalin, e konkretisht procedurat që u ndoqën nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.


Dy bashkëraportuesit e Këshillit të Europës do të zhvillojnë takime edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topin, kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, zv-kryeministrin Genc Pollo, ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, si dhe përfaqësues nga grupet parlamentare. Ndërkohë, bashkëraportuesit kanë zhvilluar dje takime me trojkën evropiane në Tiranë dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›