E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama- KE-së: Me dosjet, Berisha po mbulon mëkatet e qeverisë

Ligji i dosjeve, shkarkimi i Biberajt, raporti i qeverisë me median dhe infrastruktura zgjedhore janë çështjet ku po fokusohet KE

TIRANË- Ligji i "dosjeve", vlefshmëria e procedurave të shkarkimit të Biberaj nga delegacioni shqiptar në Këshillin e Europës, përgatitja e infrastrukturës zgjedhore, dhe situata e medias në Shqipëri, kanë qenë çështjet kryesore rreth të cilave kanë kërkuar informacion dy reporterët e delegacionit faktmbledhës të Asamblesë Parlamentare, britaniku David Willshire dhe finlandezi Jaakko Laakson, gjatë takimit që kanë zhvilluar me kreun e opozitës Edi Rama dje në mbrëmje.

Bazuar në shqetësimin e shprehur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i KE, Terry Devis, dy reporterët europianë janë ndalur veçanërisht tek ligji i shumëkritikuar i "Pastërtisë së figurave", për të cilin kanë kërkuar mendimin e opozitës në lidhje me përmbajtjen e tij dhe pse ai përbënë një kërcënim për demokracinë në vend.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, PS bënë të ditur se kreu socialistë Edi Rama duke bërë një ekspoze të situatës lidhur me këtë çështje, nuk ka nguruar ta konsiderojë këtë ligj si një përpjekje të Kryeministrit Berisha për të përdorur krimet e së kaluarës për të mbuluar mëkatet e qeverisë së sotme.

Sipas këtij njoftimi zyrtar mësohet se Rama ka vlerësuar ligjin e miratuar në mënyrë të njëanshme nga ana e qeverisë, si në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e Këshillit të Europës, si dhe një përpjekje të dëshpëruar të qeverisë Berisha për të bllokuar institucionet e drejtësisë, përkatësisht Prokurorinë dhe Gjykatat në aktivitetin e tyre, për zbardhjen e disa dosjeve korruptive, ku janë të implikuar Ministra dhe familjar të Kryeministrit Berisha.

Gjithashtu ai ka informuar dy reporterët se PS e ka çuar ligjin në gjykatën Kushtetuese dhe pret që qeveria të reagojë sa nuk është vonë për të pezulluar zbatimin e këtij ligji. Lideri i opozitës propozoi se për të dalë nga kjo situatë, duhet që ky ligj anti kushtetues të tërhiqet nga qeveria dhe të hartohet me konsensus politik, me asistencën e Komisionit të Venecias dhe OSBE, duke e kthyer atë në një ligj të standardeve të KE.

Bashkëbiseduesit në këtë takim kanë folur edhe lidhur me përgatitjet e zgjedhjeve, për të cilën Rama ngriti alarmin për rrezikun që i kanoset këtij procesi për shkak të vonesave me procedurat e pajisjes me karta identiteti të shtetasve, sidomos të atyre pa pasaportë. Gjithashtu bëhet e ditur se në fjalën e vet Rama ka nënvizuar faktin e shkeljes të të gjithë afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor, sa i përket regjistrit civil dhe listave paraprake.

Ndërkohë që lidhur me interesimin e vet reporterëve për çështjen Biberaj, kryesocialisti Edi Rama, mësohet të jetë shprehur se ky është një shembull i qartë i arrogancës dhe arbitraritetit të Kryetares së Parlamentit dhe mazhorancës, që nuk njeh dallim me opozitën, por edhe kundër atyre që mendojnë ndryshe brenda radhëve të tyre.

Në fund, u diskutua edhe për cenimin e rolit të medias, presioneve të shumta që ekzekutivi ushtron ndaj saj përmes formave të ndryshme, duke theksuar në mënyrë të veçantë nëpërkëmbjen e vendimeve të gjyqësorit, që lidhen me të drejtat e medias, duke i referuar në mënyrë specifike, rastit të gazetës "TemA".

Për të mbetur tek kjo fushë, kreu i selisë rozë, ka ngritur shqetësimin për rolin që po luan Televizioni Publik Shqiptar, duke konsideruar atë si në dispozicion të qeverisë, duke shkelur haptas ligjin që rregullon veprimtarinë dhe garanton paanësinë e mediave publike.

Ndërkohë që të dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke iu përmbajtur misionit të tyre faktmbledhës për gjendjen në vendin tonë, nuk kanë pranuar që të mbajnë ndonjë qëndrim konkret për secilën nga këto çështje.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›