E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojka Evropiane-Berishës: 'Dosjet', antikushtetues

Një grup ekspertësh të huaj, do të vijnë në Shqipëri dhe të ndihmojnë për zbatimin e ligjit.

TIRANË- Pak orë para nisjes së vizitës zyrtare në Kroaci, kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim të vështirë me Trojkën Evropiane në Tiranë, pikërisht për ligjin e shumëpërfolur të lustracionit.


Ashtu si edhe pak ditë më parë në takimin e zhvilluar me zv-kryeministrin, Genc Pollo, edhe dje, Trojka Evropiane i ka bërë të qartë kryeministrit Sali Berisha se ligji në fjalë ka probleme kushtetuese.


Trojka Evropiane ka nënvizuar si shumë të rëndësishëm faktin që kuadri ligjor i Shqipërisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe normat komunitare, sidomos tani që është në prag të aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE.


Për pasojë, takimi mes Trojkës Evropiane dhe kryeministrit Sali Berisha nuk ka qenë aspak i lehtë, aq sa, si rrallëherë, edhe Kryeministria, në sitin zyrtar të saj, e ka njoftuar këtë takim vetëm në pak radhë dhe me shumë pak informacion.


"Kryeministri Berisha pati një takim me Trojkën e BE-së, të kryesuar nga ambasadorja e Republikës Çeke në Shqipëri, si përfaqësuese e presidencës së radhës së BE-së, për të diskutuar çështje që kanë të bëjnë me ligjin për lustracionin. Në këtë takim, palët ranë dakord që ekspertë çekë, të cilët kanë përvojë të rëndësishme me këtë ligj, të vijnë të ndihmojnë qeverinë shqiptare për zbatimin e tij",- thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.


Pak ditë më parë, Trojka Evropiane ngriti shqetësime në lidhje me disa aspekte të ligjit që lidheshin, si mbi procedurën, ashtu edhe mbi përmbajtjen. Në qëndrimin zyrtar të saj të pak ditëve më parë, evidentohej gjithashtu domosdoshmëria e dialogut politik në vend, si një nga kriteret politike me rëndësi thelbësore për pranimin në BE.

Megjithatë, deri më tani, asgjë e rëndësishme nuk ka lëvizur nga qeveria shqiptare, përveç garancisë që kryeministri Berisha ka dhënë, që një grup ekspertësh të huaj të vijnë në Shqipëri dhe të ndihmojnë për zbatimin e ligjit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›