KE: Ligji i dosjeve s'përmbush standardet
Dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të KE-së, do të dalin sot në një konferencë për shtyp. Ata kanë kërkuar që ligji për dosjet të mos zbatohet, deri sa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj
TIRANË- Këshilli i Europës nuk do të ndryshojë qëndrim ndaj ligjit të lustracionit. Pas takimeve që ata kanë zhvilluar me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetarin e opozitës Edi Rama, deputetin e PD-së, Aleksandër Biberaj, por edhe me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, David Uilshire dhe Jako Lakso, janë të mendimit se përmbajtja e ligjit duhet të jetë në përputhje me standardet e Këshillit të Europës për Demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Dy reporterët e KE-së do të dalin sot në një konferencë për shtyp, ndërkohë që mësohet se ata kanë kërkuar që ligji në fjalë të mos zbatohet, deri sa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin e saj.
Gjatë takimeve të zhvilluara dje, reporterët e Këshillit të Europës kanë diskutuar gjerësisht edhe mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, si dhe për procedurat që janë ndjekur nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, lidhur me zëvendësimin e kreut të delegacionit shqiptar në KE, deputetin Aleksandër Biberaj me Ilir Rusmalin.
Vizita e dy reportereve ka për qellim mbledhjen e fakteve, që më pas do të detajohen në një raport posaçërisht për Shqipërinë, që do të votohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
KE-Topalli
Zhvillimet e fundit politike dhe veprimtaria e Kuvendit ishin në qendër të takimit që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi me dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit bëri një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Topalli ftoi gjithashtu anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe shprehu vullnetin e plotë se prioritet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sa i përket ligjit të lustracionit, Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, ligji është një variant edhe më i butë se vendet anëtare të BE-së.
"Ky është një ligj i domosdoshëm për t'u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja",- theksoi ajo. Kryetarja e Kuvendit ftoi reporterë e Këshillit të Europës që të monitorojnë zbatimin e këtij ligji.
Gjykata Kushtetuese
Po dje, reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës zhvilluan një takim edhe me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Gjatë takimit, reporterët e Këshillit të Europës u interesuan të dinin rreth procedurave, nëpërmjet të cilave do të kalojë shqyrtimi i ankimimit të ligjit "Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve", i paraqitur nga Partia Socialiste.