E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi i "Zogby": PS-ja 37%, PD-ja 30%

"Zogby International" publikon sondazhin për muajin janar. Papunësia, sipas këtij sondazhi, rezulton të jetë problemi më kryesor

TIRANË- Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin në janarin e shkuar, atëherë fituese e tyre do të ishte Partia Socialiste. Kompania prestigjioze amerikane e sondazheve "Zogby International", ka publikuar dje rezultatet e sondazhit të parë të kryer gjatë muajit janar ,me 1000 shqiptarë me të drejtë vote, sipas të cilave, Partia Socialiste do të merrte 37 për qind të votave, Partia Demokratike 30 për qind dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vetëm 5 për qind.

Ndërkohë, po sipas këtij anketimi, vetëm tri parti të vogla, dhe, konkretisht PBDNJ-ja, PR-ja dhe PDK-ja, arrijnë të marrin nga 1 për qind të votave, çka e përkthyer në një rezultat konkret, sipas sistemit të ri zgjedhor, asnjëra prej tyre nuk do të arrinte të merrte një deputet.

Ndërkohë, të majtës në sondazh i mungojnë edhe votat e të rinjve të G99-ës, të cilët nuk janë marrë parasysh, sepse partia është krijuar pas nisjes së këtij sondazhi. Për pasojë, muajin tjetër, në sondazh do të jetë edhe G99-a. Duke i konsideruar këto rezultate si një tendencë të qëndrimit të të gjithë shqiptarëve, interesant është fakti se nga të dhënat që ka publikuar "Zogby", rezulton se përcaktuese në fitoren e zgjedhjeve do të jenë qytetarët e pavendosur për të votuar, të cilët përbëjnë një numër të konsiderueshëm prej 19 përqindësh.

E krahasuar me diferencën që ekziston midis partisë së parë dhe asaj të dytë më të votuar, del se numri i votuesve të pavendosur mund të ndryshojë kurdo rezultatin për dy forcat e mëdha politike. Në përllogaritjen e këtyre rezultateve, duhet pasur parasysh dhe marzhi i gabimit, që vetë kompania amerikane pranon se është plus/minus 3.2 për qind.


Prioritetet


Papunësia, sipas këtij sondazhi, rezulton të jetë për shqiptarët problemi më kryesor, me të cilin duhet të merren forcat politike në vend.


Të intervistuarve nga "Zogby" u është kërkuar që të përmendnin 3 problemet më kryesore, me të cilat përballeshin dhe, nga përllogaritja e rezultateve, ka dalë se 66 për qind e shqiptarëve, problem kryesor kanë papunësinë.

Ndërkohë që ekonomia renditet e dyta, me 57 për qind dhe më pas vjen një tjetër fenomen i lidhur me dy të parat, që është varfëria, me 47 për qind. Një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve prej 32 përqindësh vlerësojnë se problem mbetet korrupsioni dhe keqqeverisja. Ndërkohë që, probleme më pak të ndejshme për qytetarët kanë rezultuar shkolla dhe krimi.


Liderët


Një tjetër rezultat interesant publikohet edhe për sa i përket tendencës së preferencës së shqiptarëve për liderët e këtyre forcave.


Kështu, pyetja e shtruar nga kjo kompani për të intervistuarit, se si vlerësohen qëndrimet që kanë mbajtur dy liderët kryesorë të secilit kamp politik, del se 65 për qind e qytetarëve mendojnë se Berisha ka mbajtur qëndrime të gabuara, ndërkohë që vetëm 32 për qind kanë një mendim pozitiv.


Ndërsa për Kryetarin e PS-së Edi Rama, 44 për qind mendojnë se ka mbajtur qëndrime të drejta, ndërsa 52 për qind kanë mendim negativ. Një tjetër pyetje e shtruar në kuadër të këtij sondazhi, ka qenë dhe ajo nëse drejtimi që po merr Shqipëria është pozitivë apo negative, pyetje për të cilën 44 për qind e të anketuarve mendojnë se vendi ynë po ecën në rrugën jo të duhur, 41 për qind në rrugën e duhur dhe 15 për qind nuk janë të sigurt për vlerësimin e tyre.


Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duket se do të kenë dhe një pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve në votime, pasi nga 1000 kampione të intervistuara, 82 për qind e tyre kanë deklaruar se do të marrin pjesë në votime, ndërsa 19 për qind janë të pavendosur.

Numri i të anketuarve, 1000 mijë
Marzhi i gabimit, plus/minus 3.2 për qind

Pjesëmarrja në zgjedhje
82 % do të marrin pjesë
19 % ndoshta do të marrin pjesë

Vlerësimi për performancën liderëve
Berisha 32 % pozitiv dhe 65 % negativ
Rama 44 % pozitiv dhe 52 % negativ

Votat për partitë
PS 37 %
PD 30 %
LSI 5 %
PDK 1 %
PR 1 %
PBDNJ 1 %
19 % nuk janë të sigurt
4 % nuk duan të përgjigjen

Çështjet, me të cilat duhet të përballet qeveria
Papunësia 66 %
Ekonomia 57 %
Varfëria 47 %
Korrupsioni dhe keqqeverisja 32 %
Inflacioni dhe çmimet e larta 20 %
Rrugët dhe infrastruktura 18 %
Problemet shëndetësore me 14 %
Krimi 9 për qind %
Shkolla dhe arsimi me 8 për qind %

Drejtimi që po merr Shqipëria
44 % në rrugën e duhur
41 % në rrugën jo të duhur
15 % nuk janë të sigurt

Vlerësimi për partitë
PD 54 % pozitive/38 % negative/8 % nuk e dinë
PS 62 % pozitive/ 28 negative/10 % nuk e dinë

Vendosmëria për votën
51 % janë të vendosur se për kë do të votojnë
29 % anojnë për një parti apo për një tjetër
11 % të pavendosur

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›