Pronat e gjyqtarit Konomi, sot zhvillohet gjyqi

Sot në Gjykatën e Tiranës zhvillohet gjyqi për pronat e familjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi që ndodhen në gjirin e Lalzit. Gjyqi ka të bëjë me të drejtën e familjes Konomi për hipotekimin e sipërfaqes prej 278 hektarësh tokë.
Ndonëse kjo pronë me këtë sipërfaqe është njohur si përkatësi e familjes Konomi me një vendim të Gjykatës së Lartë këtë vit, hipotekimi i saj në emër të trashëgimtarëve është bllokuar. Shkak është bërë një vendim i Gjykatës së Tiranës, dhënë për sigurim padie më 13 gusht 2011.
Vendimi në fjalë është dhënë pas padisë së bërë në Gjykatën e Tiranës nga palët e interesuara për pronën në bregdet. Palë kërkuese në këtë kërkesë-padi janë nëntë persona, anëtarë të familjeve Toptani, Mullaj dhe Hamzaraj, të gjithë lindur dhe banues në Tiranë.
Familjarët e gjyqtarit të vrarë, kanë kërkuar nga krerët e drejtësisë, garanci që ky gjyq të zhvillohet i drejtë dhe pa ndërhyrje. Ata i dërguan një letër presidentit Topi, ministrit të drejtëisë Eduard Halimi dhe nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu, ku e mbështesnin kërkesën e tyre në dyshimet e ngritura nga prokuoria se gjyqtari Konomi është vrarë për cështje pronësie.