Hysi: Duhen politika mbrojtëse për fëmijët
Deputetja Vasilika Hysi i beri thirrje qeverisë për më shumë vëmendje ndaj politikave mbrojtëse për fëmijët. “I kërkojmë qeverise shqiptare të marrë të gjitha masat ligjore, administrative dhe sociale për të ngritur sistemet e referimit për fëmijët nën moshën 14 vjeç, të cilët janë në risk dhe mund të detyrohen të përfshihen në krim, ose të jenë viktima të tij. Të parashikojë buxhete të mjaftueshme në zbatimin e strategjisë në mbrojtjen sociale më qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre në nevojë”, tha Vasilika Hysi, deputete e PS-së. Duke u nisur nga deklaratat e Kryeministrit Berisha se fëmijët janë prioritet i prioriteteve, socialistët i kërkojnë qeverisë të bëjë transparencë e buxhetit për çështjet e fëmijëve. Të bëjë transparente pjesën e buxhetit që ka parashikuar për programet e mbrojtjes së fëmijëve, për ngritjen ose forcimin e sistemeve të referimit të fëmijëve në risk, arsimimin e fëmijëve që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe probleme sociale, si dhe masat e marra për një tolerancë zero ndaj analfabetizmit në këtë vit shkollor të saponisur.