PS: Qeveria e dështuar me punësimin
Partia Socialiste e cilësoi të dështuar qeverinë në sektorin e punësimit, duke e cilësuar atë të paaftë për të hapur vende të reja pune. Nënsekretari për programin Ervin Bushatin akuzoi qeverinë Berisha se nuk ka një plan të qartë dhe ka dështuar në uljen e papunësisë në vend. “Qeveria Berisha nuk ka aftësi për të hapur vende pune sepse nuk ka një strategji të qartë për punësimin. Shkaktar kryesor të kësaj situate janë paaftësia qeverisëse dhe informaliteti mbytës në ekonominë shqiptare, që sjellin një shkallë mjaft të ulët punësimi. Është faji i Berishës që ka probleme serioze me pronën, korrupsionin dhe infrastrukturën, që asfiksojnë ekonominë shqiptare dhe mundësinë reale për të krijuar vende të reja pune”, tha Ervin Bushati, N/sekretar për programin në PS. Sipas tij, PS denoncon premtimet boshe të qeverisë për qindra mijëra vende të reja pune, kur papunësia kërcënon çdo familje shqiptare që kërkon të ketë mundësinë e një vendi dinjitoz pune për të siguruar jetesën, ndërsa shprehet se manipulimet me shifrat zyrtare të papunësisë nuk mund të fshehin realitetin.