Topi në Irak: Shqipëria do vazhdojë misionin
Presidenti, Bamir Topi zhvillon një video-konferencë me familjarët e ushtarëve në Mosul
TIRANË- Shqipëria do të vazhdojë të jetë e pranishme me trupat e saj ushtarake në Irak dhe për një kohë të gjatë. Këtë e ka konfirmuar dje vetë kreu i shtetit, njëkohësisht dhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, gjatë një vizite surprizë që po zhvillon në Irak. Presidenti Topi gjatë vizitës që po zhvillon me rastin e festave të fundvitit ka takuar Forcat Komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës "Liria e Irakut", ku dhe është pritur nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Shumëkombëshe në Irak, Gjeneral Deivid H.Petraeus. Gjatë këtij takimi, kryetari i shtetit dekoroi në një ceremoni të veçantë Kontigjentin e 10-të shqiptar me "Medaljen e Artë të Shqiponjës", me motivacionin "Për trimërinë, kurajon e profesionalizmin e lartë të treguar në operacionin "Liria e Irakut", duke nderuar kombin shqiptar". Më pas, Presidenti ka zhvilluar një video-konferencë, ku ka komunikuar nga baza e trupave aleate në Mosul me familjarë të komandove shqiptare, të mbledhur në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, duke u përcjellë atyre kënaqësinë që ndjejnë të gjithë shqiptarët për komandot që shërbejnë më profesionalizëm në këtë mision paqeruajtës. "Kemi marrë vlerësime të jashtëzakonshme për këtë Kontigjent dhe vlerësimi i parë vjen në planin moral. Forcat tona Komando kanë demonstruar një moral të lartë, gjatë gjithë kohës së shërbimit këtu në Mosul, por kanë demonstruar gjithashtu edhe parametra të lartë profesionalë dhe çdo ditë po i rrisin këto parametra",- u shpreh Presidenti i Republikës, gjatë komunikimit të tij telefonik. Gjithashtu ai ka garantuar familjarët e ushtarakëve në Tiranë, se e gjithë trupa jonë ushtarake në Irak gëzon një gjendje të shkëlqyer moral dhe shëndetësor. "Dëshiroj t'ju përcjell përshëndetjet më të mira të gjithë familjarëve, duke ju garantuar që i keni të gjithë mirë me shëndet e duke ju garantuar gjithashtu se keni përfaqësues mjaft të denjë, të nderuar, për të cilët duhet të krenoheni",- u shpreh Topi, duke iu uruar ushtarakëve dhe familjarëve të tyre edhe festat e fund vitit. Duke iu referuar pikërisht dekorimit që i bëri këtij kontingjenti kreu i shtetit ka theksuar se ky nuk do të jetë i fundit, pasi, sipas tij, Shqipëria është e vendosur që të kontribuojë edhe më tej në vendosjen e paqes në këtë zonë. "Pata rastin të vlerësoj në mënyrë zyrtare Kontigjentin e 10-të, duke e dekoruar me "Medaljen e Artë të Shqiponjës". Besoj që kjo nuk është medalja e parë dhe e fundit, sepse operacioni do të vazhdojë, misioni do të vazhdojë dhe jam i bindur që suksese të tjera ky Kontigjent do të ketë në të ardhmen",- u shpreh Topi. Kjo, sipas Topit, është një pjesë e vullnetit që ushtria shqiptare ka për të kontribuar krahas vendeve të tjera aleate, si një dëshmi e qartë e gatishmërisë për t'u bërë anëtare e NATO-s gjatë Samitit të Bukureshtit, pranverën e ardhshme. Më pas kreu i shtetit ka udhëtuar drejt Bagdatit, ku dhe është takuar me kryeministrin irakian, Nuri Al Maliki. Gjatë kësaj vizite kreu i shtetit shoqërohej edhe nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, si dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Ndërkohë, të mbledhur në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, familjarët e komandove shqiptare që shërbejnë në "Kontigjentin e 10 Paqeruajtës" në Irak kanë vlerësuar vizitën e presidentit Bamir Topi. Familjarët janë njohur me gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre, si dhe kanë vlerësuar maksimalisht vizitën e Kreut të Shtetit në Mosul. Ndërkohë drejtuesi i misionit shqiptar në Mosul, Major Behar Mara, në përshëndetjen e tij, ka shprehur angazhimin komandove shqiptare për të shërbyer në emër të atdheut, përkrah trupave aleate në misionin paqeruajtës "Liria e Irakut".