E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat në bregdet, shkarkohet kreu i këshillit të qarkut

Agron Sharra ka akuzuar këshilltarët demokratë se gjithçka po bëhej për interesat e ndarjes së pronave nga Novosela në Ksamil

VLORË - Çështja e pronave në bregdet fshihet pas kontradiktave brenda Partisë Demokratike të Vlorës. Ose të paktën kjo është ajo që është bërë publike nga Agron Sharra, deri më dje kryetar i këshillit të qarkut të qytetit bregdetar, i cili u shkarkua mesditën e së enjtes.


Çuditërisht mbledhja nuk u zhvillua në sallën e zakonshme të këshillit të qarkut, aty ku edhe janë zhvilluar deri tani mbledhje të këtij niveli, por në një nga sallat e vogla të konviktit të universitetit "Ismail Qemali". Ambienti ka ngjallur deri pakënaqësi nga disa anëtarë të këshillit të qarkut, të cilët nuk kanë fshehur gjithashtu rezervat për gjithë këtë nxitim të mocionistëve, duke mos u lënë kohë për vendimmarrje.


Mbledhja


Mocionistë, këshilltarë të djathtë në këshillin e qarkut, kanë akuzuar për paaftësi institucionin e këshillit të qarkut, duke i drejtuar shigjetat ndaj kreut të saj Agron Sharrës, ndërsa ky i fundit nuk ka hezituar të thotë se vendi i tij lakmohet për interesa të caktuara, kryesisht ato të ndarjes së tokave në bregdet.


Mbledhja gjithashtu është endur të zgjidhë mes termave "e ligjshme" apo "e paligjshme", ndër fjalët këto më të lakuara gjatë kësaj seance, seancë kjo që pasi është mbyllur nga kreu Sharra, e ka shkarkuar fill pas kësaj në kohë rekord këtë të fundit.


Këshilltarë të tjerë, jomocionistë, u kanë bërë thirrje nismëtarëve të mos kryenin procedura të nxituara, referuar vendimmarrjes. Ata kanë propozuar një datë të dytë për të shqyrtuar mocionin e t'u vendoseshin përpara gjithë materialet e nevojshme.


Pas largimit të një pjese këshilltarësh, 37 të tjerët kanë ndarë detyrat për drejtuesit e seancës, numëruesit e votave dhe monitoruesit, duke zhvilluar procedurat e votimit të shkarkimit të kreut të qarkut Sharra dhe zgjedhjes së kryetarit të ri.


Pa praninë e sekretarit, 37 këshilltarë nga 59 që ka gjithsej këshilli i qarkut, kanë kryer procedurat e votimit, duke shkarkuar unanimisht Sharrën dhe votuar më pas të vetmen kandidaturë prezantuar nga këshilltari Kanan Braho (kryebashkiaku i Orikumit), Ylli Pirro.


Votimi


Mbledhjes së djeshme nuk i kanë munguar deri edhe sfidat. Në sprovë është vënë kreu i drejtorisë rajonale të rrugëve, Edmond Bataj, i cili mes detyrës në këtë institucion dhe asaj të këshilltarit, ka zgjedhur votimin e djeshëm, duke u dorëhequr nga detyra e drejtuesit.


Mbledhja e djeshme që ka qenë jashtë radhe, është zhvilluar me praninë e prefektit të qarkut ndërsa i kanë munguar vetëm dy nga 59 anëtarë, kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, dhe kreu i bashkisë Himarë, Vasil Bollano.


Akuzat dhe kundërakuzat


Mocionistët kundër Sharrës: "Duke vërejtur në vijimësi shkeljet e herëpashershme të ligjit, qëndrimin jokorrekt të kryetarit dhe mosfunksionimin normal të këshillit të qarkut, ne bëjmë me dije se në mbledhjet e këshillit të qarkut është shkelur në mënyrë flagrante ligji, duke shkelur afatet e tyre në më pak se tre muaj.


Drejtori të rëndësishme të institucionit të qarkut jo vetëm nuk kanë kryer detyrën, por nën ndikimin negativ të kryetarit Sharra, kanë pushuar së funksionuari, duke krijuar probleme serioze për institucione të tjera, një i tillë është ZAMT, kadastra e qarkut.


Atrofizimi i këtij institucioni është i papranueshëm, sidomos kur nga ana e kryetarit mungon vullneti politik për të kryer detyrën për të cilën është ngarkuar nga ligji dhe është mandatuar nga Partia Demokratike".


Sharra kundër Brahos, kryebashkiakut të Orikumit: "Ju nuk i keni kryer detyrimet ndaj ligjit 7501 dhe natyrisht këtë ligj po mundoheni ta ktheni në favorin tuaj.


Ju po mundoheni të sulmoni nëpërmjet kryetarit të këshillit të qarkut dhe ZAMT, të cilën e keni programuar për më prapa, sepse ky është vendi ku ju mund të merrni për t'u pasuruar për ndonjë copë ngastër.


Nuk mund t'i turreni tokave të bregdetit dhe për hir të së vërtetës, kjo është ajo çka ju mundon më tepër. Po flas për zonën tuaj atraktive, të cilën e keni lënë të bëhet me ndërtime molesh në gjithë bregdetin, e keni lënë të zhvillohet nëpërmjet çadrave 5 mijë lekëshe, dhe e keni lënë të zhvillohet nëpërmjet ndërtimeve në tokën bujqësore.


Ju jeni personi që keni pasur më tepër fonde, edhe nga këshilli i qarkut, dhe ju i dini vetë ku i keni çuar ato fonde, me lobingje individuale apo të miqve tuaj". Një nga këshilltarët jomocionistë tha se këto ishin qejfmbetje kryetarësh brenda grupit, xhelozish e karriere, të cilat po pasqyrohen edhe këtu.


Mocioni ndaj kreut të këshillit të qarkut u dorëzua në prefekturë, ndërsa prefekti thirri një mbledhje të jashtëzakonshme. Vetë këshilltarë të PD-së pohuan se për mocionin ishte shprehur pro edhe vetë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ndërsa në një dalje për shtyp, kreu socialist i Vlorës u shpreh se druhej se ky mocion kishte lidhje me pronat në bregdet.


Sharra pas mbledhjes


Në mocionin e mosbesimit, ku pretendohet se nuk ka funksionuar institucioni i kadastrës, të lë të dyshosh se këta persona ndërmarrin nismën që kanë procedurën e tokave të bregdetit, duke filluar që nga Novosela deri në Ksamil. Koha do ta vërtetojë se ajo për të cilën ata po punojnë, nuk ka asgjë politike.


Prefektura dhe bashkia ndahen për vendimin e buxhetit


FIER - "Momenti i vetëm i ngërçit institucional bashki-prefekturë ka ardhur si rrjedhojë e vendimit të këshillit bashkiak për kalimin e buxhetit të këtij viti". Kështu është shprehur drejtori i departamentit juridik në bashkinë e Fierit, Luan Çala, i cili është pyetur për marrëdhëniet ndërinstitucionale të bashkisë dhe prefekturës


Marrëdhëniet mes këtyre dy institucioneve janë karakterizuar nga mirëkuptimi dhe respektimi i ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, si dhe hapësirave që u jep ligji. Nëpërmjet kreut të departamentit juridik, Bashkia e Fierit vlerëson punën e prefekturës, ndërkohë që kur përflitet këshilli bashkiak, derisa çështja është në gjykatë, nuk jepet asnjë koment. "Për këtë problem pritet fjala e fundit e drejtësisë".


Kështu janë shprehur edhe nga bashkia, edhe nga prefektura lidhur me problemin e këshillit bashkiak. "I vetmi moment që cilësohet si ngërç midis dy institucioneve, ka qenë momenti i kontrollit dhe verifikimit të bazueshmërisë ligjore të vendimit të këshillit bashkiak nr.71, i cili ka objekt kalimin dhe miratimin e buxhetit për vitin 2010.


Megjithatë, ky ngërç midis dy institucioneve tashmë ka marrë udhë pasi çështja është në gjykatë", ka thënë Luan Çala, drejtor i departamentit juridik në bashki. Mosmiratimi i buxhetit të këtij viti ka bllokuar të gjitha investimet që Bashkia e Fierit kishte planifikuar. K.Thanasi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›