Dhuna në familje, 801 denoncime për gjashtë muaj
Drejtoresha e Barazisë Gjinore, Marku, theksoi se ka 255 raste dhune më shumë se vitin e kaluar. Të ngrihen qendra për pritjen e viktimave
Dhuna na familjet shqiptare është ulur këmbëkryq, por për fat të mirë denoncimet ndaj këtij fenomeni kanë ardhur duke u rritur. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje.
Po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm konstatojmë se ka rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara nga strukturat e policisë.
Të ndodhur përballë këtij realiteti, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ka rekomanduar njësitë vendore të marrin masat për ngritjen e qendrave të rehabilitimet për viktimat e dhunës në të gjithë vendin.
Dhuna
Dhuna po godet familjare shqiptare deri në krime të rënda ndaj dhe shifrat që raportohen janë alarmante. Drejtoresha e Barazisë Gjinore dhe e Familjes në Ministrinë e Punës, Alma Marku, theksoi se vihet re që ndryshe nga vitet e kaluara, ku rastet më të shumta të denoncimit i përkisnin rrethit të Tiranës, rritja e sensibilitetit dhe ndërgjegjësimit ka sjellë edhe shtrirjen gjeografike të denoncimeve në të gjitha rajonet e vendit.
"Nga të dhënat statistikore të 6-mujorit të parë 2010 evidentohet se dhuna në familje është një fenomen që ushtrohet kryesisht ndaj bashkëshorteve (femra).
Kështu, gjatë kësaj periudhe, rezultojnë të dëmtuara nga dhuna e bashkëshortëve/ish bashkëshortëve/partnerëve 473 femra, ose 59% e numrit të përgjithshëm të personave të dëmtuar.
Të dëmtuara femra, janë gjithsej 682 raste, ose 85.1% dhe meshkuj 56 raste, ose 14.9%", pohon ajo duke shtuar se po gjatë 6-mujorit të parë 2010 janë evidentuar 10 raste të vrasjes në persona me lidhje familjare, ku në 2 raste viktima është nëna, në 3 raste është bashkëshortja, në 1 rast viktimë është bashkëshorti, në 2 raste viktimë është vëllai, në 1 rast viktimë është prindi, në 1 rast viktimë është fëmija.
Qendra
Tani, Shqipëria ka edhe një Qendër Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje, nisma e parë shtetërore kjo për nga lloji i shërbimeve që i ofrohet kësaj kategorie, pas plotësimit të bazës ligjore, ngritjes së strukturave, trajnimin e tyre ndaj fenomenit të dhunës në familje dhe ofrimit të asistencës për viktimat.
Qendra është parashikuar të ofrojë për viktimat në marrëdhëniet familjare shërbime këshillimi, psiko-sociale, programe rehabilitimi, asistencë mjekësore e juridike, në përputhje me standardet e Këshillit të Europës, si dhe do të shërbejë si qendër kombëtare e trajnimit të specializuar për punonjësit që veprojnë në këtë fushë.
Raporti: Shqipëria mund të ketë ligje të mira, por ato nuk zbatohen
Shumë prej grave dhe vajzave akoma e konsiderojnë dhunën brenda familjes si një çështje private, për të cilën nuk kërkojnë ndihmë nga autoritetet dhe u duket shumë e vështirë që për zgjidhjen e këtij problemi të përfshijnë strukturat e policisë, ndonëse shoqëria civile ka hartuar dhe ka lobuar për miratimin e Ligjit kundër Dhunës në Familje.
Në këtë raport hije të shoqërisë, e cila u raportua pranë OKB-së nga përfaqësuesja e shoqërisë civile, Meri Pone, theksohet se Shqipëria në aspektin legjislativ ka përmbushur disa prej rekomandimeve të Konventës, por, megjithatë, paragrafët në lidhje me barazinë gjinore në shumicën e rasteve mbeten thjesht deklarata të thjeshta dhe ligjet shqiptare në këtë fushë, por çalojnë në zbatim.
Në aspektin ekonomik gratë dhe vajzat shqiptare përballen ende me vështirësi të panumërta, sidomos për sa i përket punësimit, ndërkohë që një prej problemeve më të mëdha për to mbetet ende dhuna.