E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat në kaos, "shkrihet" AKKP

TIRANË- Qeveria vendos të ndryshojë ligjin e pronave dhe shkrin Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave. Me një vendim të marrë gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Ministrave autorizoi këtë agjenci që deri më datë 31 dhjetor 2009 të shqyrtojë të gjitha ankesat me subjekt kthimin dhe kompensimin e pronave, ndërsa më pas do të fillojë edhe shkrirja.

"Ne duhet të autorizojmë me ligj Agjencinë e Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave që ankesat e ardhura para datës 30 qershor dhe që kanë mbetur pa u shqyrtuar të marrin përgjigje në mënyrë që ajo të shkojë drejt shuarjes së saj natyrale, përmbushjes së detyrimit dhe ndërprerjes së aktivitetit të saj", - tha dje Kryeministri Sali Berisha.

Deri më tani, pranë Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave janë dërguar rreth 8 mijë ankesa të cilat sipas ndryshimeve më të fundit të bëra në ligjin "Për kthimin dhe Kompensimin e Pronave", duhet të shqyrtohen deri më datë 31 dhjetor.

I kontaktuar nga "Shekulli" në lidhje me këtë çështje, kreu i AKKP-së, Elvis Çefa, theksoi se, kjo agjenci do të shqyrtojë dhe do të marrë një vendim për të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me kthimin dhe kompensimin e pronave deri më 31 dhjetor 2009.


"Me këtë projektligj ky afat për shqyrtimin dhe marrjen e një vendimi për ankesat e bëra pranë të gjitha zyrave rajonale të AKKP-së është shtyrë deri në 31dhjetor 2009, ndërkohë që deri më tani afati limit ishte 30 qershori i këtij viti.


Misioni i AKKP-së është trajtimi i drejtë i kërkesave për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave. Nëse ne do të marrim një vendim për këto kërkesa deri në 31 dhjetor 2009 atëherë prezumohet me ligj që nuk ka më kërkesa dhe procesi ka përfunduar", - tha ai.


Sipas shpjegimit të bërë nga kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, parashikohet që deri në fund të këtij viti të ketë përfunduar procesi i shqyrtimit të ankesave për të cilat do të merret një vendim.


Me të mbaruar ky proces, stafi i AKKP-së do të reduktohet dhe pas kësaj date do të vazhdohet vetëm me ekzekutimin e vendimeve të marra deri më 31 dhjetor 2009. "Për sa i përket njohjes së pronave, agjencia e mbaron misionin dhe fillon reduktimi i strukturave.


Por puna do të vazhdojë për pjesën tjetër, dmth ekzekutimin e vendimeve të marra deri në 31 dhjetor 2009. Ato subjekte që kanë një vendim për kompensim apo kthim të pronës do të vazhdojnë të aplikojnë për ekzekutimin e tij qoftë për kompensim apo kthim fizik gjithnjë aty ku është e mundur apo sa është e mundur", - tha Çefa.


Sipas Ligjit "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës", kompensimi financiar i pronarëve prona e të cilëve është konfiskuar gjatë regjimit komunist duhet të përfundojë deri në vitin 2015.


Ky ligj ka hasur vazhdimisht në kundërshtimet e pronarëve të cilët duke marrë në shqyrtim afatet që parashikohet të përfundojnë, masën që duhet kompensuar dhe shumën që përcaktohet çdo vit nga qeveria e konsiderojnë një proces të dështuar. E. Senja


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›