E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i kandidatit, BE-ja nuk shqyrton kërkesën e Shqipërisë

Ministri i Jashtëm i Suedisë deklaron se arsyet janë teknike. Ndërsa Hollanda i konsideron politike


Luksemburg - Ndryshe nga sa ishte parashikuar, kërkesa e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE nuk është shqyrtuar gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve te BE-së, në Luksemburg.


Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian thotë se vonesa në shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE nuk është për shkaqe politike, por vetëm teknike.


Pas takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, në Luksemburg, ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, tha se procedurat e komplikuara të shqyrtimit të kërkesave të vendeve të ndryshme, sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës, kanë bërë që aplikimi i Shqipërisë të mos jetë konsideruar ende nga BE-ja.


"E vetmja vonesë këtu ka qenë për faktin se Parlamenti Gjerman nuk është mbledhur ende dhe sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës ne kemi procedura më të komplikuara, konsultimin e parlamenteve në disa vende, përfshirë edhe vendin tim (Suedia), megjithëse ne nuk kemi pasur zgjedhje kohët e fundit, por gjermanët kanë pasur zgjedhje," - tha Bildt, duke shtuar se është thjesht çështje teknike dhe jo politike.


Por, ndryshe nga qëndrimi që mban Suedia për vonesat e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë, Holanda duket se e konsideron si politike çështjen e shqyrtimit të kësaj kërkese.


BE-ja vendosi para disa muajsh t'i ofrojë Islandës një procedurë të përshpejtuar të anëtarësimit, menjëherë sapo ky vend bëri aplikimin. Shqipëria e paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit


Lammert, kryetar i Parlamentit Gjerman


Ndërkohë, dje u mblodh Parlamenti Gjerman në seancën e tij konstituese. Një muaj pas zgjedhjeve, periudha e 17-të legjislative u hap prej politikanit kristiandemokrat, Heinz Riesenhuber, si deputeti më i moshuar. Ndërsa kryetar Parlamenti u rizgjodh politikani kristiandemokrat, Norbert Lammert.


Prej shtatë vjetësh, Lammert është anëtar i kryesisë së Bundestagut. Nga viti 2005 e në vijim, ai ka qenë kryetar i Parlamentit. Pak kohë më parë, në një intervistë për mediat, Lammert ishte shprehur se secili vend duhet të përmbushë kriteret për anëtarësim, pasi këtë gjë nuk mund ta bëjnë vendet e tjera për të.


Ndërkohë dje, Bundestagu zgjodhi edhe pesë nënkryetarët e Lammertit, nga një për secilin grup parlamentar. Sot në rend të ditës do të jetë rizgjedhja e kancelares, Angela Merkel. Parlamenti i ri gjerman ka 622 deputetë.

*********************

Vendimi i Çekisë bllokon emërimin e Presidentit të Përhershëm të Këshillit të BE-së


Traktati i Lisbonës, Çekia e shtyn për javën tjetër

TIRANË - Gjykata Kushtetuese në Republikën Çeke e ka shtyrë për javës tjetër seancën që Traktati i Lisbonës, mbi reformën evropiane të hyjë në fuqi. Republika Çeke është vendi i vetëm nga 27 vendet anëtare të BE-së që nuk e ka nënshkruar ende traktatin, që ka si qëllim të përcaktojë mënyrën se si do të drejtohet organizata dhe shihet nga shumë si themelor për zhvillimet e ardhshme. Gjykata do të vendosë nëse traktati prek sovranitetin çek.


Gjykata Kushtetuese e vendit pritet të dëgjojë argumentet e një grupi senatorësh që thonë se Traktati i Lisbonës do të krijojë një super-shtet, duke cenuar kështu sovranitetin çek.


Senatorët gëzojnë përkrahjen e presidentit të vendit, Vaclav Klaus, i cili është kundërshtar i hapur i traktatit. Nëse Gjykata vendos në favor të traktatit, presidenti çek, Vaclav Klaus, duhet të vendosë nëse do ta nënshkruajë atë apo jo, por ai për momentin ka vendosur kushte.


Pikërisht për shkak të kësaj situate, vendet e BE-së nuk mund të marrin vendime për çështje të rëndësishme. Sipas "DW", bëhet fjalë për emërimin e presidentit të përhershëm të Këshillit dhe të një përfaqësuesi të lartë për politikën e jashtme.


Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, i bëri thirrje Presidentit Klaus që të mos pretendojë shumë. "Presidenti Klaus është një xhentëlmen. Dua të them se miratimi i një xhentëlmeni nuk është një pakt me shkrim. E rëndësishme është përmbajtja.


Nëse Çekia na drejton një lutje politike dhe nëse ne vendosim ta plotësojmë atë, atëherë sipas meje firma e Presidentit Klaus është diçka e vetëkuptueshme" - u shpreh Frattini.

**********************************

Kongresi i PD-së, Berisha ende pa rival

TIRANË - Gjithçka është mirëpërcaktuar, tashmë nga kryesia e Partisë Demokratike. Anëtarët e kryesisë në unanimitet të plotë miratuan pak ditë më parë ngritjen e dy komisioneve, si dhe grupet e punës në 12 qarqet, me qëllim analizën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Por, ajo që nuk dihet ende, është pikërisht kandidati, që do të jetë përballë kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse eksperienca e deritashme ka treguar se kandidatët përballë Berishës kanë qenë thjesht formalë, deri më tash në zyrat e selisë së PD-së nuk përflitet asnjë emër kandidati.


Zyrtarë të lartë të selisë blu deklaruan dje për "Shekulli"-n se është ende herët për të folur me emra kandidatësh, ndërkohë, që sipas tyre, ka filluar puna nga grupet e punës për të bërë analizën e zgjedhjeve, e cila do të përfundojë me një raport, që do të shqyrtohet në Kuvendin e PD-së.


Paralelisht, ka filluar puna edhe nga komisioni për ndryshimet në statutin e PD-së. Paketa e re rregullave, që pritet t'i vërë vulën Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ridvan Bode, do të jetë përcaktuese edhe për ndryshimet e strukturave brenda PD-së.


Një ndër pikat më të nxehta është, pikërisht, ajo e ndarjes së funksioneve partiake nga ato qeverisëse. Më saktë, ata që janë ministra në kabinetin qeveritar nuk duhet të mbajnë edhe poste sekretaresh në parti, gjë që pak gjasa ka që të ndodhë për sa kohë, që në këtë pikë preket edhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, i cili prej vitesh në PD mban postin më të rëndësishëm pas Berishës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›