E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, çahet shkolla me 235 nxënës

RESHJET/ Shkolla e Bashkuar është përfshirë nga rrëshqitja e dheut. Mësuesit vendosin ndërprerjen e mësimit


Ekipi i kontrollit njofton se nuk është gjetur ende një zgjidhje për nxënësit dhe rifillimin e mësimit

LIBRAZHD - Pezullohet mësimi në Zgosht të Librazhdit. Shkolla e Bashkuar përfshihet nga rrëshqitja e dheut.


Ndërsa kanë vazhduar mësimin të premten mësues e nxënës kanë parë të frikësuar çarjet e mureve dhe lëvizjen e tokës duke marrë vendimin për të ndërprerë mësimin ditën e hënë. Për situatën është njoftuar fillimisht Drejtoria Arsimore dhe më pas Sektori i Emergjencave Civile në Prefekturë. Menjëherë drejt shkollës së dëmtuar është nisur një grup specialistësh për të vlerësuar situatën.


Shkak për situatën e krijuar janë bërë punimet për ndërtimin e rrugës Librazhd-Peshkopi dhe ujërat nëntokësore. Janë rreth 235 nxënës, duke filluar nga kopshti e deri në shkollën e mesme, si dhe 40 mësues që dje kanë pezulluar mësimin.


Shqetësimi


Ndërtesa ka pësuar çarje të mëdha në themele, mure dhe çati. Sipas mësuesve, nga çasti në çast godina rrezikon të shembet. Drejtoria e shkollës ka vendosur të ndërpresë procesin mësimor nisur nga ky rrezik.


Drejtori Selami Biçaku është mjaftuar duke lajmëruar drejtorinë arsimore dhe pushtetin vendor duke mos pranuar të prononcohet nëpërmjet medias për këtë problem. Ndërkohë, Drejtoria Arsimore e Librazhdit ka dërguar në fshat një ekip kontrolli për të verifikuar gjendjen.


Inxhinieri i drejtorisë arsimore, Roland Shqerra, shprehet se shkak për dëmtimin e godinës janë bërë punimet e firmës dhe ujërat nëntokësore. Ai pohon se në këto kushte procesi mësimor duhet të ndërpritet dhe të merren menjëherë masa emergjente.


Nxënësit dhe mësuesit nuk pranojnë të vazhdojnë mësimin nëse nuk merren masa për riparimin ose gjetjen e ndonjë godine të përkohshme, por të sigurt për të zhvilluar mësim.


Gjatë paradites, drejt Zgoshtit është nisur një specialist i drejtorisë arsimore dhe përgjegjësi i Shtabit të Emergjencave në Prefekturën e Elbasanit, Mustafa Arapi. Këta kanë verifikuar dëmtimet dhe aktualisht është pezulluar mësimi deri në një zgjidhje për këtë shkollë.


Terreni për shkak të ujërave nëntokësore dhe të reshjeve ka pësuar lëvizje që mendohet të jetë shkaku kryesor i dëmtimit të shkollës. Gjithsesi, pritet që specialistët të analizojnë shkaqet që kanë sjellë dëmtimin e objektit. Deri në gjetjen e një zgjidhjeje mësimi është pezulluar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›