Pronat, qytetarët ankohen te Avokati i Popullit
KORÇË - Përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë mbërritur në Korçë për të dëgjuar ankesat e qytetarëve juglindorë.
Mbi 100 ankesa janë depozituar vetëm në ditën e parë të qëndrimit të grupit nga institucioni në fjalë, ndërkohë që përfaqësuesit e Avokatit të Popullit do të jenë prezentë edhe për dy ditë të tjera në Korçë. Tre inspektorë të këtij institucioni kanë marrë takime me banorët e zonës në bashkinë e qytetit.
Ankesat janë të shumta. Probleme që lidhen me pronat dhe padrejtësitë mbi to janë ankesat që zënë vendin bazë në juglindje, ndërkohë që ankesat janë të natyrave të ndryshme. Nuk mungojnë ato që lidhen me largimet nga puna në bashkinë e qytetit, padrejtësi në raport me humbjen e sigurimeve shoqërore, strehimi etj.
Vetë banorët e Korçës ankohen për problemet që hasin në mënyrë të vazhdueshme me pronat e tyre apo deri dhe vjedhje që iu është bërë me anë të falsifikimeve këtyre pronave. Sipas njërit prej inspektorëve të Avokatit të Popullit, Korça mban vendin e parë për çështjet e pronësisë, ankesa të cilat merren në shqyrtim më pas nga Avokati i Popullit.
Qytetarët qëndrojnë në radhë për disa orë nga fluksi i madh i ankesave, ndërsa shpresojnë që Avokati i Popullit t'i japë fund kalvarit të tyre me çështjet e pronave që vijnë nga gjykata, por në mënyrë të përsëritur nga Hipoteka e Korçës ku duket se ka shumë abuzime.
Pakujdesia në punë, ndërron jetë 45-vjeçari
FUSHË-KRUJË - Vdes në punë një 45-vjeçar duke lënë 2 fëmijë jetimë. Ka qenë ora rreth 05:10 sipas dëshmive të dhëna nga dëshmitarë okularë, kur punonjësi i fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, Naim Baku, është aksidentuar rëndë duke humbur jetën. Aksidenti me pasojë vdekjen, sipas tyre, ka ndodhur teksa viktima po pastronte rripat e transmetuesve në njërën prej linjave.
Punonjësit e fabrikës e kanë gjetur të pajetë kolegun e tyre që kishte rënë nga transportieri dhe më pas kanë njoftuar policinë. Punonjësit kanë deklaruar se "Baku ka qenë duke punuar në një lartësi rreth 50 metra nga sipërfaqja e tokës.
Ndërsa ai nuk ka qenë i pajisur me rripat e sigurimit teknik, transportieri që transportonte thasët e çimentos ka lëvizur kullën në të cilën ishte varur 45-vjeçari. Baku ka humbur ekuilibrin duke rënë në ingranazhet e transportierit, duke ndërruar jetë.
Grupi hetimor ka marrë në pyetje drejtuesit teknikë të fabrikës, ndërsa mbrëmjen e së enjtes, pas hetimeve të kryera, u arrit në përfundimin se shkak për vdekjen e punëtorit ka qenë pakujdesia e treguar nga ai vetë në punë. Naim Baku ka lënë dy fëmijë të mitur jetimë.
Aksidenti, dy të plagosur, prangoset shoferi
LUSHNJË - Një mjet ka rrezikuar seriozisht jetën e dy personave. Pëllumb Bregu, 51 vjeç, banues në fshatin Rreth Libofshë është vënë në pranga nga policia nën akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Burimet zyrtare të bluve bënë të ditur se rreth orës 21:30 të së mërkurës, duke drejtuar automjetin e tij, 51-vjeçari ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rruge.
Si pasojë, veç drejtuesit të mjetit ka mbetur i plagosur edhe një 52-vjeçar i cili ka qenë pasagjer në këtë mjet. Dy të aksidentuarit janë dërguar në spitalin e Lushnjës, ndërsa pasagjeri mësohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia ka prangosur drejtuesin.