E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 30 vetë në protestë kundër zyrtarit të Drejtësisë

VLORË/ Anëtarë të familjes Hamzaraj akuzojnë Florian Nurin se me anë të pushtetit po u merr pronën


VLORË - Mbi 30 vetë, anëtarë të të njëjtit trung familjar kanë protestuar paraditen e djeshme përpara Gjykatës së Shkallës së Parë të qytetit të Vlorës. Me parulla në duar, ndër të cilat "Kryeministër, shiko mirë zyrtarët e korruptuar", "Kërkojmë të drejtën e pronës" dhe parulla të tjera, ku denoncohej një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, familjarët janë vendosur para institucionit të drejtësisë në Vlorë.


"Një zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme po na grabit pronën përmes gjykatave",- janë shprehur familjarët në protestën e tyre. Familjarët Hamzaraj kanë akuzuar si personin që po u grabit pronën Florian Nurin.


Ata janë shprehur se zyrtari po u merr në mënyrë të padrejtë një sipërfaqe prej 8900 metrash në lagjen "10 Korriku". Sipas Hamzarajve, këtë pronë gjyshi i tyre ia ka blerë stërgjyshit të Nurit dhe në bazë të dokumentacioneve kjo tokë iu është kthyer nga Komisioni i Kthimit të Pronave duke figuruar i regjistruar në hipotekë në emër të tyre.


Protestuesit u shprehën se ata disponojnë çdo lloj dokumentacioni që provon se prona është e tyre. Ata thanë se pas shumë kohësh, Florian Nuri ka kërkuar këtë pronë dhe e ka çuar çështjen në gjyqësor, ndërsa ky i fundit, i ndikuar nga pushteti i zyrtarit, e ka favorizuar.


Familjarët u shprehën se ata kërkojnë që gjyqi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe që secili të marrë atë që i takon, pasi në të kundërt protesta e tyre do të përshkallëzohet, ndërsa çështja do të shkojë në gjykatat ndërkombëtare.


Pas protestës së familjarëve kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, edhe Gjykata e Apelit dje ka lënë në fuqi vendimin. Si rrjedhojë 5 prej familjarëve kanë vazhduar të qëndrojnë afër Gjykatës së Apelit ku, sipas tyre, kanë nisur një grevë urie për shkak se nuk po gjejnë të drejtën që iu takon. Ata thonë se greva do të vijojë derisa të marrin një zgjidhje përfundimtare për çështjen.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›