E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimet, Politekniku nxjerr kuotat dhe tarifat për vitin e ri akademik



Jonida Tashi

Universiteti Politeknik i Tiranës propozon të pranojë 1515 studentë të rinj gjatë vitit akademik 2010-2011. Sipas shpërndarjes së kuotës totale të pranimit, 1430 kuota do të jenë për studimet me kohë të plotë, 65 për studentët jashtë trojeve shqiptare dhe 20 për studimet edukim në distancë.
Krahasuar me pranimet e një vitit më parë, sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Politeknikut, studimet me kohë të plotë, gjatë vitit të ri akademik, pranë gjashtë fakulteteve të këtij universiteti, do të kenë mundësi t’i ndjekin vetëm 180 studentë më shumë se vjet. Inxhinieria e Ndërtimit dhe ajo Mekanike renditen të parat në listë për numrin e lartë të kuotave të pranimit, me nga 150 studentë në secilën prej tyre. Fill pas tyre, vjen një tjetër degë jo pak e preferuar nga të rinjtë për studimet e larta, që është ajo e Arkitekturës, me 100 kuota pranimi. Ndërsa për degët e tjera të fakulteteve të Politeknikut është propozuar një numër i kufizuar kuotash pranimi, që varion nga 40-80 studentë për çdo program studimi. Megjithë kërkesat në rritje të të rinjve, për të vijuar studimet e larta pranë Politeknikut, pasi ky është i vetmi universitet në vend që ofron programe studimi për degë të ndryshme ixhinierike, për shkak të mungesës së infrastrukturës në ambiente dhe staf akademik, sërish këtë vit pranimet në këtë institucion të arsimit të lartë do të jenë të kufizuara.
Kuotat
Aktualisht kuotat e propozuara për pranimet e reja të studentëve janë depozituar për miratim në Ministrinë e Arsimit. Kuotat e pranimeve janë propozuar pas rishikimit të kapaciteteve nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Por, pavarësisht se janë bërë propozimet përkatëse, janë Ministria e Arsimit dhe Këshilli i Ministrave, dy institucionet që do të marrin përsipër miratimin e këtyre kuotave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre. Gjithsesi, për pranimet e reja të studentëve gjatë vitit të ardhshëm akademik, Universiteti Politeknik ka bërë disa ndryshime përsa i përket shtimit të kuotave të pranimit në disa degë. Më konkretisht, kuotat janë rritur në degët e Fakultetit Gjeologji-Miniera dhe Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, ndërsa për pjesën tjetër të fakulteteve është propozuar që ato të mbeten njëlloj me një vit më parë. Për degët e Fakultetit Gjeologji-Miniera, drejtuesit e Politeknikut kanë propozuar që të ketë 30 kuota më shumë se vjet për Gjeoinformatikën, 10 për Inxhinierinë e Gjeoburimeve, dhe 20 më shumë për Inxhinierinë Gjeologjike. Kurse për tri degët e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit janë shtuar nga 10 kuota më shumë për secilin prej tyre, duke e çuar në 40 kuotën e pranimeve për Inxhinierinë Elektronike, Inxhinierinë e Telekomunikacioneve dhe Inxhinierinë Informatike. Përsa i përket uljes së kuotave të pranimit, Politekniku propozon që për formën e studimit edukim në distancë, gjatë vitit të ardhshëm akademik të pranohen 20 studentë më pak se vitin e shkuar, gjatë të cilit kanë vijuar studimet 40 kandidatë.
Tarifat
Përveç kuotave, drejtuesit e Universitetit Politeknik kanë propozuar edhe tarifat e studimit, për vitin e ardhshëm akademik. Krahasuar me taksat e shkollimit të vitit të kaluar, pagesat e sivjetshme për studentët pritet të pësojnë rritje në disa degë. Sipas propozimeve të bëra nga drejtuesit e Politeknikut, duhet të rritet me 5 mijë lekë tarifa për degët e Fakultetit Inxhinieri Mekanike, duke e çuar në 20 mijë lekë shumën totale të saj, nga 15 mijë që ka qenë vjet. Po kështu, propozohet që taksa e shkollimit të rritet me 7 mijë lekë edhe për degët e Fakultetit Gjeologji-Miniera. Sipas kësaj rritjeje, tarifa vjetore e studimit në këtë fakultet shkon në shifrën 22 mijë lekë, nga 15 mijë që ishte një vit më parë. Më tej, drejtuesit e Universitetit Politeknik propozojnë që të rritet me 5 mijë lekë tarifa e studimit edhe për degët Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike, që për vitin e ardhshëm, pritet që taksa e shkollimit të shkojë nga 15 mijë në 20 mijë lekë. Për degët e tjera të studimit pranë këtij universiteti nuk propozohet asnjë lëvizje e tarifës së studimit, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që ato të rriten gjatë miratimit përfundimtar në qeveri. Gjithsesi, si gjithmonë, më shtrenjtë studimet në Universitetin Politeknik do të jenë për degën e Arkitekturës, për të cilën tarifa e propozuar është 30 mijë lekë, pagesë kjo e njëjtë me atë të vjetshmen. Inxhinieria e Ndërtimit do të jetë dega e dytë me taksë të lartë shkollimi në Universitetin Politeknik, 25 mijë lekë për një vit akademik, ndërsa për degët e tjera tarifat variojnë nga 15-20 mijë lekë.

KUOTAT DHE TARIFAT E PROPOZUARA NGA UNIVERSITETI POLITEKNIK, PËR VITIN E RI AKADEMIK 2010-2011

Universiteti Politeknik i Tiranës Kuota Tarifa
Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
Inxhinieri Ndërtimi 150 25 000
Inxhinieri Mjedisi 50 15 000
Inxhinieri Hidroteknik 80 15 000
Inxhinieri Gjeodezi 60 15 000
Arkitekturë 100 30 000
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit
Inxhinieri Elektronike 40 20 000
Inxhinieri e Telekomunikacioneve 40 20 000
Inxhinieri Informatike 40 20 000
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Mekanike 150 20 000
Inxhinieri Materiale 60 20 000
Inxhinieri Tekstili dhe Modë 60 20 000
Inxhinieri Ekonomike 60 20 000
Fakulteti i Gjeologji-Miniera
Inxhinieri Gjeologjike 80 22 000
Inxhinieri e Gjeoburimeve 80 22 000
Inxhinieri Gjeoinformatikë 80 22 000
Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike
Inxhinieri Matematike 60 20 000
Inxhinieri Fizike 60 20 000
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike
Inxhinieri Elektrike Energjetike 60 20 000
Inxh.Elek. Automatizim i Industrisë 60 20 000
Inxhinieri Mekatronikë 60 20 000

Kuotat e pranimit për studentët jashtë trojeve shqiptare

Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit Kuota
Inxhinieri Elektronike 5
Inxhinieri e Telekomunikacioneve 5
Inxhinieri Informatike 5
Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike
Inxhinieri Matematike 5
Inxhinieri Fizike 5
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Mekanike 10
Inxhinieri Materiale 10
Inxhinieri Tekstili dhe Modë 10
Inxhinieri Ekonomike 10

Kuotat për studimet me kohë të pjesshme
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
Inxhinieri Logjistikë Prodhimi 20

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›