E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi i energjisë, 640 lekë në muaj do të jetë masa për çdo familje



Ministria e Punës ka zbardhur dje pjesërisht vendimin për kompensimin e energjisë, sipas të cilit, çdo familje do të marrë vetëm 640 lekë në muaj për rritjen e çmimit të dritave. Marrja e kompensimit për energjinë do të bëhet e mundur pasi Ministria e Punës të dërgojë në qeveri vendimin përkatës. Për këtë, kreu i Ministrisë së Punës, Spiro Ksera ka bërë të ditur se tashmë është përgatitur dhe pritet të miratohet vendimi i Këshillit të Ministrave, që parashikon kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në masën 640 lekë, nga 500 që ishte, pas rritjes së çmimit në fillim të këtij viti. Efektet financiare të këtij kompensimi do të fillojnë nga 1 janari i vitit 2010. sipas Ministrisë së Punës, nga ky vendim do të vazhdojnë të përfitojnë familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 350 mijë lekë, pensionistët e vetëm apo që kanë në ngarkim persona të tjerë. Për t’i hapur rrugën miratimit të vendimit në qeveri, Këshilli Kombëtar i Punës miratoi dje Planin Social të Veprimit për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për Çështjet Sociale, në kuadrin e Traktatit për Komunitetin e Energjisë. Në bazë të Planit Social të Veprimit qëndrojnë veprimtaritë për arritjen e qëllimeve të vendosura në Memorandum, të cilat garantojnë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, sidomos atyre në nevojë, në përputhje me krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik rajonal etj. Që nga 1 janari, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për konsumin e energjisë elektrike, pasi çmimi i saj u rrit me 13 për qind, sipas vendimit të Entit Rregullator në dhjetor të vitit të shkuar. Qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, duke garantuar kompensim 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›