Studimi demografik, ISHP: Shqiptarët janë indiferentë ndaj testit të HIV/AIDS
Shqiptarët janë indiferentë ndaj testit të HIV/AIDS. Shqetësimi ngrihet nga strukturat e Shëndetësisë në vend, sipas të cilave, përqindja e popullsisë që testohen ndaj HIV/AIDS është tepër e ulët. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ylli, shprehet se shqiptarët nuk janë ende të sensibilizuar për të kryer kontrollet e herë pas hershme ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të cilat janë në rritje. “Kemi ende ndërgjegjësim të ulët të popullatës për testimin e HIV/AIDS-it. Pra, nëse duket që njohuritë për HIV/AIDS-in janë duke u përmirësuar testimi është ende shumë i ulët. Kemi filluar disa ndërhyrje para dy vjetësh, na duhet t’i rishikojmë ato për të parë si t’i bëjmë më të përdorshme nga popullata”,- tha Alban Ylli. Ndërkaq, një problem tjetër që shfaqet në popullatën e vendit tonë është edhe fertiliteti. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) shprehet se fertiliteti është drejt rënies, ndërkohe që një pjesë e konsiderueshme e shqiptareve, nuk i përdorin metodat kontraceptive. “Megjithëse vërejmë që fertiliteti është duke rënë me shpejtësi, tashmë jemi në parametrat europiane, 1.6 fëmijë për grua. Metodat moderne të planifikimit familjar ende nuk përdoren aq sa duhen. Është bërë një rritje e lehtë, por jo aq masive sa për të shpjeguar këtë rënie të fertilitetit. Ende shqiptarët marrin rriske lidhur me mënyrat e kontrollit të familjes”,- tha Ylli. Pas publikimit të studimit të parë demografik shëndetësor në vendin tonë, ku u intervistuan rreth 9000 familje në të gjithë vendin, Ylli thotë se ai mund të pasohet nga një tjetër vetëm pas tre vjetësh, ndoshta në një format të ri.
Shtyhen afatet për hapjen e spitalit të ri në QSUT
Shtyhen sërish afatet e hapjes së spitalit të ri në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë. Megjithëse, kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kur erdhi në këtë post deklaroi publikisht se brenda muajit mars gjithçka do të ishte gati, kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së, Ilir Dashi, konsideron si afatin përfundimtar të hapjes së spitalit të ri verën, pa përcaktuar një datë të saktë. Sipas Dashit, vonesat nuk lidhen me përfundimin e godinës, por me stafin mjekësor që do të punësohet aty, që ende nuk është gati. Spitali i ri është menduar të funksionojë si një qendër e urgjencave të shërbimeve në QSUT. Drejtoria e QSUT-së shpjegon se përqendrimi i shërbimit të urgjencës do të “shpëtojë” pacientët nga sorollatjet në spital dhe njëkohësisht do të lehtësojë barrën e personelit mjekësor. Spitali i ri mendohet të jetë një strukturë moderne në të gjitha llojet e pikëpamjeve, si përsa i përket mënyrës së konstruktimit dhe shërbimeve që do të ofrojë. Projekti për ndërtimin e spitalit të ri në QSUT është financuar nga Banka për Zhvillimin e Këshillit të Europës në vlerën 14 milion dollarë dhe nga qeveria shqiptare me 7.4 milion dollarë, vetëm për ndërtimin e godinës.
19 Mars 2010