E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, prangosen dy biznesmenë dhe dy doganierë në Rinas



TIRANË – Dy doganierë të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit bien në pranga, ndërsa dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Bashkë më ta Policia e Tiranës ka arrestuar dhe 3 persona të tjerë, ku dy prej tyre janë tregtarë, ndërsa i treti shofer. Pesë të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kaluar në mënyrë kontrabandë një sasi të madhe veshmbathjesh, duke shmangur detyrimet doganore. Personat e arrestuar janë: Gjin Dedndreaj dhe Basri Toçilla, me profesion doganierë si dhe Shkëlzen Hasani, Renato Sinoimeri dhe Astrit Sela. Ndërsa personat që po hetohen më gjendje të lirë janë doganierët me inicialet P. P. dhe S. G.

Operacioni “Rinas I”
Prej gati 3 muajsh specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar kishin nisur mbledhjen e informacioneve lidhur me këtë grup dhe mbi aktivitetin e tyre. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rinas I”, uniformat blu bënë të mundur arrestimin e pesë personave gjatë ditës së djeshme në aksin rrugor Tiranë-Durrës.
Arrestimi i tyre u bë sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar të kalojnë në pikën doganore të Rinasit një sasi malli, i cili pasi u kontrollua rezultoi se nuk kishte dokumente shoqërimi, duke mundësuar më pas transportimin e tyre me automjetet tip “Benz”, me targë TR 0883 K dhe “Ford Fiesta” me targë TR 8693 M. Pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 680 copë veshje (kostume femrash), 500 copë forma për femra, 60 copë funde femrash dhe dy automjetet.

Hetimi
Prej gati 3 muajsh, efektivët e policisë kishin rënë në gjurmët e këtij grupi dhe kishin nisur punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tyre. Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimit dyshohet se këta persona e kanë kryer dhe herë të tjera këtë veprim, duke futur në këtë mënyrë mallra kontrabandë në vend dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm me vlerë disa dhjetëra milionë lekë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale ”kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, ”kontrabandë me mallra të tjera” si dhe ”tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.

Të arrestuarit

Shkëlzen Xhemal Hasani, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë shofer.
Renato Xhemil Sinoimeri, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë tregtar.
Astrit Dalip Sela, 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë tregtar.
Basri Nuhi Tocilla, 37 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier.
Gjin Zef Dedndreaj, 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier.

Hetohen në gjendje të lirë

P. P., 45 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë doganiere.
S. G., 51 vjeç, banues në Tiranë, me punë përgjegjës turni ne degën e Doganës Rinas.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›