E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga tre policëve, vidhnin pjesë këmbimi të mjeteve të bllokuara



VLORË – SHKB-ja arreston tre inspektorë të policisë të qytetit bregdetar që vidhnin pjesë këmbimi të mjeteve të bllokuara. Të tre të arrestuarit, Musa Nushi, Çobo Sakaj dhe Muhamet Sulejmani, kryenin funksionin e trupës së shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve. Arrestimi i tyre u krye pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, më datë 18.03.2010, caktoi për ta masën e sigurisë “arrest në burg pa afat”. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte zhvilluar ndaj tyre hetime për veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Këta punonjës të policisë, duke qenë me shërbim, në kohë të ndryshme dhe më shumë se një herë kanë vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve të bllokuara nga policia, duke ua shitur ato personave të tretë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të çështjes.

Aksidenti, përplasja me autobusin i merr jetën 45-vjeçares

ELBASAN - Autobusi përplas një çift në Elbasan, humb jetën bashkëshortja. Sipas policisë së këtij qyteti, aksidenti ka qenë fatal për 48-vjeçaren Sabrie Kullolli, e cila ka vdekur gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:30, kur autobusi ka goditur Sabrie Kullollin dhe bashkëshortin e saj Skënder Kullolli, 53 vjeç. Fillimisht viktimat janë dërguar në Spitalin e Elbasanit, ku kanë marrë dhe ndihmën e parë.
Gjendja e rënduar e 48-vjeçares ka bërë që mjekët të sugjerojnë dërgimin për mjekim më të kualifikuar në Spitalin Ushtarak, por fatkeqësisht ajo ka gjetur vdekjen rrugës për në spital. Ndërkohë që e rëndë paraqitet situata edhe për bashkëshortin e saj, i cili është në kujdes të vazhdueshëm nga mjekët.

Pranga 3 shqiptarëve, sulmuan dhe grabitën 3 të rinj italianë

PARMA – Policia italiane arrestoi tre shtetas shqiptarë të akuzuar për grabitjen dhe plagosjen e disa studentëve italianë, ngjarje e ndodhur në Parma. Media italiane lajmëroi se të arrestuarit janë shtetasit shqiptarë Arben Malku, 40 vjeç, Emiliano Cici, 25 vjeç dhe Ervis Nasuf, 21 vjeç. Ata u arrestuan me akuzat për grabitje dhe plagosje. Sipas policisë, shqiptarët i sulmuan studentët italianë të shtunën në mbrëmje, ndërsa tre të dëmtuarit po largoheshin nga ambienti universitar.
Shqiptarët u folën tre studentëve dhe pasi ata vazhduan të ecnin në rrugë, tre agresorët i ndoqën dhe i sulmuan duke i goditur në kokë e më pas duke u marrë telefonat, sendet personale dhe paratë që kishin me vete.

Vdes nga korrenti, po vidhte skrap në tren

DURRËS – Shkon për të vjedhur skrap në një vagon treni, por gjen vdekjen si pasojë e kontaktit me korrentin. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së mërkurës në stacionin hekurudhor të Shkozetit. Viktima Kujtim Kovaci, nga Durrësi, kishte shkuar së bashku me nipin e tij për të marrë skrap, po në momentin që treni ka nisur të ecë për të udhëtuar drejt Elbasanit, 27-vjecari ka hasur në një tel elektrik që iu lidh në pjesën e qafës duke i shkaktuar dhe vdekjen nga korrenti. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, ndërsa trupi i pajetë u dërgua në morgun e qytetit të Durrësit.

Vrasja në tentativë, prangoset i kërkuari

TIRANË – Arrestohet i kërkuari për vrasje të mbetur në tentativë. Policia e kryeqytetit njofton se ka vënë në pranga Saimir Petraq Binjakun, 36 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, më datë 11.04.2009, ka nxjerrë urdhër-ndalimin për verën penale të vrasjes në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”. Pas arrestimit, materialet hetimore dhe vetë i arrestuari i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

Plagosi gruan, pranga të riut dhe bashkëpunëtorit

SHKODËR – Goditi një grua në sherr e sipër dhe i jep armën e krimit një shoku të tij për t’ia fshehur. Ngjarja konfirmohet nga policia e Shkodrës, sipas së cilës, gruaja e plagosur është 48-vjeçarja me inicialet B. D., ndërsa agresori i saj është 22-vjeçari Indrid Meçe. Ky i fundit, ndërsa arratisej, ia ka dhënë thikën e krimit shokut të tij 31-vjeçar Ardian Kadria, të cilin ai e fshehu në shtëpi, por u zbulua më pas gjatë kontrollit policor. Më pas, forcat e policisë kanë mundur të kapin edhe Meçen ndërsa largohej, duke nisur veprimet e duhura procedurale, kurse materialet në ngarkim të dy të lartpërmendurve i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Xhelozia, i thyen xhamin e furgonit partnerit

DURRËS – Xhelozia e ka shtyrë një 45-vjeçare që në shenjë hakmarrjeje t’i thyejë xhamin e automjetit partnerit të saj. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se më datë 17.03.2010 filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetases S. M. Procedimi penal ndaj saj filloi për arsye se rreth orës 10:30 të po kësaj date, pas një konflikti për motive të dobëta (xhelozi) me shtetasin S. B., 50 vjeç, i ka thyer këtij të fundit xhamin e fugonit të pasagjerëve duke i shkaktuar një dëm prej rreth 35 000 lekësh. Materialet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës” i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›