Alkooli çon prapa hekurave 100 persona në vit
Laureta Rryçi
Konsumimi i alkoolit tej normave çon prapa hekurave rreth 100 persona në vit. Të paktën këto janë statistikat e gjykatave, që tregojnë se gjatë 2-3 viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i këtyre padive për gjykim. Aksidentet rrugore mbeten një nga problemet më të mprehta me të cilat po përballet Policia shqiptare, por edhe institucionet e tjera ligjzbatuese në vend.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.
Dosjet
Gjatë vitit 2009 ka marrë në shqyrtim 125 dosje të tilla që lidhen me aksidentet rrugore, të parashikuara nga nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal, si veprat penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi". Sipas këtyre të dhënave zyrtare të Gjykatës së Tiranës rezulton se gjykatësit e saj kanë marrë në shqyrtim gjatë këtij viti afërsisht mbi 11 çështje penale në muaj për shkeljen e rregullave të qarkullimit, të cilat kanë shkaktuar aksidente rrugore. Drejtuesit e automjeteve mbeten në pjesën më të madhe fajtorë për aksidentet e shkaktuara. Sipas vendimeve të dhëna nga gjykatësit e kryeqytetit rezulton se rreth 90 për qind të këtyre dosjeve kanë marrë si vendim cilësimin fajtorë të shoferëve, duke marrë edhe dënimin përkatës sipas rasteve.
Vendimet
Nëse i referohemi Gjykatës së Tiranës, atëherë do të shikojmë se pesë nga shtatë dosjet e prokurorisë janë për "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor", ku nga përmbajtja e këtij neni thuhet se "shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen, plagosjen e rëndë të një personi ose plagosjen e lehtë të disa personave dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet". Pra masa e dënimit është shumë e rëndë, por shumë pak, për të mos thënë aspak, zbatohet nga Drejtësia shqiptare, qoftë nga kërkesat e prokurorisë dhe nga dënimet e gjykatës. Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjykatë edhe dy dosje me akuzën e "drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi, që përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj".
Boc
Seksioni 3, vepra penale kundër rendit dhe sigurisë publike
Neni: 291
Titulli: Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi
Përmbajtja: Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Tritol në banesën e gazetarit, reagon Unioni i Gazetarëve
SHKODËR – 100 gramë tritol është vendosur në banesën e një gazetari në Shkodër, por çaktivizimi në kohë nga ana e Policisë ka shmangur një ngjarje e rëndë. Policia e Shkodrës bën të ditur se një sasi tritoli prej 100 gramësh u gjet dje në mëngjes para banesës së Ervin Dushit, gazetarit të emisionit investigativ “Fiks fare”. Sasia e eksplozivit u gjet nga një fqinj i Dushit, rreth orës 06:00 të mëngjesit. Fqinji i gazetarit lajmëroi menjëherë policinë dhe familjarët e Dushit për të dalë nga banesa. Më pas kanë qenë forcat speciale ato që kanë çaktivizuar lëndën plasëse duke shmangura kështu shpërthimin që mund të shkaktonte dhe viktima në banesën e gazetarit.
Policia po heton për autorët e mundshëm të vendosjes së lëndës plasëse. Një nga pistat kryesore të hetimit është dyshimi se eksplozivi është vendosur për shkak të profesionit të Ervin Dushit. Efektivët kanë nisur të hetojnë mbi ngjarjet e fundit mbi të cilat ka investiguar Dushi, për të zbardhur autorët e mundshëm të vendosjes së eksplozivit në banesën e tij. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe dega e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për prefekturën e Shkodrës, e cila dje bëri një deklaratë. Sipas notës së protestës, “rasti në fjalë vërteton më së miri se në rajonin e vështirë të Shkodrës, ashtu si dhe në përgjithësi në Shqipëri, gazetarët vijojnë të jenë krejtësisht të pambrojtur dhe të shënjestruar në çdo moment nëpërmjet publikimit të shkrimeve dhe kronikave të tyre të guximshme në të cilat goditet korrupsioni, paaftësia si dhe monopolet e zyrtarëve shtetërorë dhe atyre privatë”.
“Dega e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Shkodër u bën thirrje organeve të rendit dhe sigurisë që të impenjohen maksimalisht për zbulimin e autorëve të këtij akti si dhe për vendosjen e tyre para drejtësisë”, - thuhet në deklaratën e Unionit për qarkun e Shkodrës.
Arrestohen tre shqiptarë me 22 kg marijuanë
GREQI - Pranga tre shqiptarëve në Greqi, iu bllokuan 22 kilogramë marijuanë. Policia greke ka arrestuar tre shtetas shqiptarë me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Lajmi është bërë me dije nga mediat greke, të cilat pohuan se tre shtetasit shqiptarë, të moshave nga 22 deri në 28 vjeç, u arrestuan në flagrancë me një sasi prej 22 kilogramësh lëndë narkotike marijuanë. Kathemirini, raporton se tre shqiptarët u kapën nga policia në kohën kur po tentonin shkëmbimin e drogës në qendër të qytetit të Selanikut. Policia helene është duke hetuar mbi prejardhjen e kësaj sasie droge dhe mbi persona të tjerë të lidhur me tre të arrestuarit.
Përmbytjet, banorët e Maliqit në protestë
KORÇË – Dëmshpërblimi për tokat e përmbytura i ka detyruar banorët e zonës së Maliqit që të bllokojnë rrugën Korçë-Pogradec. Kërkesat e tyre kishin të bënin me përmbytjet që ndodhën në zonë ditët e fundit për shkak të reshjeve të shumta që frynë dhe nxorën nga shtrati lumin Devoll. Banorët kërkuan verifikim dhe vlerësim të dëmeve pasi vetëm kështu mund të marrin dëmshpërblimin e premtuar nga qeveria. Sipas tyre, autoritetet vendore nuk kanë bërë asnjë verifikim dhe vlerësim të dëmeve, ku të mbjellat, serat dhe pemët frutore u dëmtuan rëndë nga uji. Banorët pretendojnë se dhe banesat kanë pësuar dëme të mëdha. Por, Policia e Korçës e sinjalizuar për protestën dhe bllokimin e rrugës kanë tentuar shpërndarjen e banorëve protestues duke e quajtur protestën të paligjshme. Banorët nuk kanë pranuar dhe janë përleshur për disa minuta me policinë, e cila me pas shpërndau protestuesit duke liruar aksin.
Sherri mes familjeve tiranase, krisma armësh pranë bustit “Ushtari i panjohur”
TIRANË – Sherri për pronësinë e disa dyqaneve pranë Ushtarit të Panjohur mes familjeve tiranase, degjeneron në shkëmbime zjarri. Policia e Tiranës konfirmoi se sherri për katër dyqane pranë Ushtarit të Panjohur ka kohë që ka nisur mes dy familjeve dhe dje, tre persona kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar në ajër. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila rrethoi zonën dhe nisi hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas kësaj, në Policinë e Tiranës janë shoqëruar tre persona, përfaqësues të dy familjeve, si dhe roja i katër dyqaneve në vendin e të cilave dikur gjendej kinema “Partizani”. Fillimisht u dyshua për një person të plagosur, pasi u pa i shtrirë në tokë, por policia e mohoi këtë fakt duke konfirmuar se personi i shtrirë ishte vetëm një kalimtar i rastit, i cili u shtri në tokë për t’u shpëtuar p
19 Mars 2010