E Diel, 1 Nëntor 2026

AKR vazhdon të kërkojë edhe një ministri

Marrëveshja e koalicionit qeverisës mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës Kosova e Re (AKR), si duket ende nuk është sqaruar, edhe pse kanë kaluar nëntë muaj që nga nënshkrimi i marrëveshjes. Përderisa drejtuesit e AKR-së insistojnë të marrin edhe një ministri, zyrtarët nga partneri i koalicionit PDK mohojnë të ketë shkelje të marrëveshjes për ndarje të ministrive.

Arritja e marrëveshjes mes PDK-së, AKR-së, Listës Dr. “Ibrahim Rugova” dhe komuniteteve, kishte rritur edhe numrin e ministrive dhe të zëvendëskryeministrave. Nga kjo marrëveshje PDK-së ka nën udhëheqje 10 ministri, AKR-ja katër ministri, komunitetet gjithashtu katër ministri dhe Lista Dr. “Ibrahim Rugova” një ministri.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherë nënpresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në lidhje me këtë çështje kryeministri, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli janë në bisedime, dhe se kanë konfirmime nga partneri i koalicionit se marrëveshja do të respektohet.

“Agjenda e koalicionit, gjegjësisht e subjekteve politike në koalicion, janë në diskutim e sipër ashtu siç është thënë edhe më herët në bazë të vlerësimit të performancës, edhe në bazë të planeve të përgjithshme edhe të qeverisë dhe koalicionit që të respektohet marrëveshja në tërësi. Por gjithsesi kemi konfirmime nga partneri i koalicionit që marrëveshja do të respektohet, por që është çështje e agjendës së përgjithshme të ekzekutivit në raport me situatën, e cila është e krijuar në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.

E pyetur se cilën ministri e dëshirojnë, Kusari-Lila ka thënë se AKR-ja nuk ka specifikuar ndonjë ministri të veçantë, por sipas saj synim i kësaj partie është që të performojë sa më mirë dhe në interes të qytetarëve.

“Synimet e AKR-së janë që të përformojë më së miri në interes të qytetarëve të japë rezultatin e duhur në ministri, të cilat i merr dhe i ka marrë në menaxhim, dhe besoj se koha është duke treguar se jemi në krye të detyrës”, ka theksuar Kusari-Lila.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka përjashtuar të ketë ndonjë mos marrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit. Ai thotë se dy krerët e partive në koalicion i kanë ndarë dikasteret dhe deputetët vazhdojnë ta respektojnë marrëveshjen.

“Po, ato janë çështje që janë të rregulluara mes të dy kryetarëve të partive përkatëse, kanë ndarë dikasteret mes veti dhe ne si deputet dhe anëtarët e partive na mbetet që këto qëndrime dhe marrëveshje të tyre t’i respektojmë dhe t’i aprovojmë. Unë prapë po them se deri më tash nuk kemi asnjë mosmarrëveshje mes veti dhe kemi një koalicion shumë stabil dhe shumë të sigurt”, ka deklaruar Grabovci.

Për më tepër, ai thotë se nuk është dijeni për ndonjë marrëveshje të re eventuale, sipas të cilës AKR-së duhet t’i ndahet edhe një ministri.

“Të paktën, unë nuk kam lexuar se ka ndonjë marrëveshje tjetër dhe mendoj që është nënshkruar mes kryetarit të PDK-së dhe kryetarit të AKR-së apo koalicioni është zbatuar dhe është problem të cilët duhet të merren të dy kryetarët bashkërisht”, ka thënë ai.

Ndryshe, marrëveshja e koalicioni e nënshkruar më 19 shkurt të këtij viti, ka rritur kabinetin qeveritar nga dy zëvendëskryeministra në pesë dhe numrin e ministrive në 19. Kjo ka bërë që të kritikohet nga opozita dhe shoqëria civile për një kabinet më të madh qeveritar në rajon.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›