S’e pranon Serbia
Propozimi i Bashkimit Europian për menaxhimin e integruar të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është pritur me dyshime nga udhëheqës të institucioneve dhe nga partitë opozitare.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri duke shpjeguar propozimin e ndërmjetësit Robert Cooper, të premten kishte thënë se kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë do të menaxhoheshin nga dy vendet bashkërisht dhe do të mbikëqyreshin nga ndërkombëtaret. Tahiri këtë e ka interpretuar si një raport të ri mes Kosovës dhe Serbisë në rast se kjo fundit pranon këtë propozim.
Por menaxhimi i përbashkët i kufijve me Serbinë për Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, është vështirë i realizueshëm.
Ai po ashtu ka kërkuar që gjithçka që ka të bëjë me kufijtë, të miratohet në Parlament, e pastaj të fillojnë hapat e tjerë.
“Jam i njoftuar vetëm nga mjetet e informimit për këtë çështje. Nuk është çështje si i vlerësoj unë, por çështje është se edhe me Kushtetutë, edhe me ligje, është qartë e precizuar se çdo marrëveshje për kufijtë me vendet fqinje bëhet paraprakisht në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi, për Express, të shtunën.
Kryepalamentari ka konstatuar se Qeveria po vazhdon të mos jetë transparente me procesin e dialogut dhe thotë se nuk pret kurrfarë rezultatesh nga takimet Kosovë – Serbi.
“Me këtë praktikë që është duke ndjekur Kosova, me këtë praktikë që është duke ndjekur Brukseli në raport me raportet Prishtinë – Beograd, unë jam më se skeptik se do të arrihet diçka”, ka thënë Krasniqi.
“Bisedimet do të duhej të ndodhnin, meqenëse nuk kanë qenë shumë transparente, por megjithatë përsëri jam i bindur se Serbia edhe ashtu siç janë arritur ato marrëveshje në të mirë të Serbisë – Serbia nuk është e gatshme t`i jetësojë”.
Edhe Kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri ka shprehur dyshime për zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë për menaxhimin e integruar të kufijve pasi ka thënë se me këtë Beogradi pranon shtetësinë e Kosovës.
Propozimi më i ri i Cooperit është hedhur poshtë edhe nga partitë opozitare duke thënë se kjo është një çështje krejtësisht politike.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri nuk pret ndonjë rezultat nga ky propozim, derisa i ka bërë thirrje ekzekutivit të jetë transparent në procesin e bisedimeve me Serbinë.
“Nëse ka diçka të tillë, duhet të jenë transparente dhe të publikohen dhe të prezantohen para deputetëve, para institucioneve tona. Edita Tahiri ka thënë edhe shumëçka tjetër që është e mundshme dhe doli që nuk është e mundshme. Por, edhe një herë po e them se nuk mund të japim ndonjë vlerësim më të detajuar pa e parë se çka përmban ajo që po e thotë zonja Tahiri. Ajo ka thënë se edhe më 1 nëntor do të fillojë zbatimi i marrëveshjeve dhe nuk është duke ndodhur”, ka thënë Beqiri, për Express.
“Në ditët në vazhdim, LDK’ja do ta thotë qëndrimin e prerë për këtë çështje”, ka shtuar Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje konsideron se propozimi i Cooperit është i pamundur të zbatohet për shkak të Serbisë, e cila nuk i njeh kufijtë e Kosovës.
“Në radhë të parë, unë nuk besoj se ai është një model apo një marrëveshje, për faktin e thjeshtë, sepse edhe Edita Tahiri kishte thënë se është vetëm një ide që po qarkullon. Realisht kjo është e pamundur. Mendoj se menaxhimi i kufijve në këtë moment ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një ëndërr donkishoteske”, ka thënë Alma Lama, deputete e Vetëvendosjes.
Sipas saj, Serbia nuk do të pranojë një ide të tillë.
“Absolutisht Serbia nuk do të pranojë një propozim të tillë. Është i pamundur në realitet, sepse në momentin që Serbia do të pranonte një model të tillë, do ta pranonte pavarësinë e Kosovës. Sepse për menaxhim të integruar të kufijve, në radhë të parë duhet të njohësh kufirin e njëri – tjetrit dhe Serbia nuk e ka njohur çështjen e kufirit”.
Megjithëkëtë, Ahmet Isufi i AAK’së thotë se pavarësisht motivit të mirë të BE’së për menaxhimin e integruar të kufijve, një ide e tillë nuk do të zbatohet.
“Serbia nuk ka zbatuar asgjë dhe asnjëherë nuk ka qenë e gatshme të bisedojë me Prishtinën.
Edhe niveli i angazhimit, edhe temat, të cilat janë rrahur dhe mënyra se si është sjellë pala serbe, kanë dalë me motive krejtësisht politike. Prandaj, edhe marrëveshjet, të cilat janë arritur, janë quajtur konkluzione për të mos u miratuar në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Isufi.
Nënkryetari i AAK’së thotë se Prishtina duhet ta ndërpresë dialogun e papërgatitur dhe të mos shpresojë që Beogradi të pranojë idenë e BE’së për kufijtë.
“Vendet që bëjnë menaxhimin e përbashkët të kufijve, e bëjnë demarkacionin e kufirit, e bëjnë përcaktimin e kufijve, pastaj organizohen për marrëdhënie reciproke. Derisa të mos ekzistojë kjo gjendje në mes të Serbisë dhe Kosovës, madje ekziston kontestim i kufijve dhe i territoreve siç bën Serbia, është iluzore të mendohet se mund të ketë ndonjë rezultat nga këto modele dhe biseda”, ka thënë Ahmeti.
Dialogu teknik i filluar në mars të këtij viti mes Kosovës dhe Serbisë, është ndërprerë gjashtë muaj më vonë, pasi nisma e Beogradit për të diskutuar për kufijtë kishte dështuar.
Tash dialogu Prishtinë – Beograd pritet të rinisë nëse palët pajtohen me propozimet për kufijtë të ndërmjetësit Robert Cooper.