Kontradiktorë për ministri
Drejtuesit e AKR’së po vazhdojnë të kërkojnë edhe një ministri në Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, u takon në bazë të marrëveshjes me Partinë Demokratike të Kosovës.
Në bazë të marrëveshjes PDK - AKR - Lista Dr. “Ibrahim Rugova” dhe partitë e komuniteteve, partia më e madhe udhëheq me 10 ministri, AKR’ja e Pacollit 4 ministri, komunitetet gjithashtu katër ministri dhe Lista Dr. “Ibrahim Rugova”, një ministri.
Zëvendëskryeministrja dhe Nënpresidentja e AKR’së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se Kryeministri Hashim Thaçi dhe Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli janë duke zhvilluar bisedime dhe se kanë konfirmime nga partneri i koalicionit se marrëveshja do të respektohet.
“Agjenda e koalicionit, gjegjësisht e subjekteve politike në koalicion, janë në diskutim e sipër, ashtu siç është thënë edhe më herët në bazë të vlerësimit të performancës, edhe në bazë të planeve të përgjithshme edhe të Qeverisë dhe koalicionit që të respektohet marrëveshja në tërësi. Por gjithsesi, kemi konfirmime nga partneri i koalicionit që marrëveshja do të respektohet, por që është çështje e agjendës së përgjithshme të ekzekutivit në raport me situatën, e cila është e krijuar në Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila për Kosovapress.
E pyetur se cila është ministria që e dëshirojnë, Kusari-Lila ka thënë se AKR’ja nuk ka specifikuar ndonjë ministri të veçantë, por sipas saj, synim i kësaj partie është që të performojë sa më mirë dhe në interes të qytetarëve.
“Synimet e AKR’së janë që të përformojë më së miri në interes të qytetarëve të japë rezultatin e duhur në ministri, të cilat i merr dhe i ka marrë në menaxhim, dhe besoj se koha është duke treguar se jemi në krye të detyrës”, ka theksuar Kusari-Lila.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ndërkaq ka përjashtuar të ketë ndonjë mosmarrëveshje ndërmjet partnerëve të koalicionit. Ai thotë se dy krerët e partive në koalicion i kanë ndarë dikasteret dhe deputetët vazhdojnë ta respektojnë marrëveshjen. “Po, ato janë çështje që janë të rregulluara mes të dy kryetarëve të partive përkatëse, kanë ndarë dikasteret mes veti dhe ne si deputetë dhe anëtarët e partive na mbetet që këto qëndrime dhe marrëveshje të tyre t’i respektojmë dhe t’i aprovojmë. Unë prapë po them se deri më tash nuk kemi asnjë mosmarrëveshje mes veti dhe kemi një koalicion shumë stabil dhe shumë të sigurt”, ka deklaruar Grabovci.
Për më tepër, ai thotë se nuk është dijeni për ndonjë marrëveshje të re eventuale, sipas së cilës, AKR’së duhet t’i ndahet edhe një ministri.
“Të paktën, unë nuk kam lexuar se ka ndonjë marrëveshje tjetër dhe mendoj që është nënshkruar mes kryetarit të PDK’së dhe kryetarit të AKR’së apo koalicioni është zbatuar dhe është problem të cilët duhet të merren të dy kryetarët bashkërisht”, ka thënë ai.
Ndryshe, marrëveshja e koalicionit, e nënshkruar më 19 shkurt të këtij viti, ka rritur kabinetin qeveritar nga dy zëvendëskryeministra në pesë dhe numrin e ministrive në 19. Kjo ka bërë që të kritikohet nga opozita dhe shoqëria civile për një kabinet më të madh qeveritar në rajon.