Befasia një miliard euro
Në kohën kur e gjithë bota e zhvilluar tkurret nga pasojat e krizës, vendi ynë nuk rresht së dhëni befasi. Krahas parashikimeve se ritmi i rritjes ekonomike i Shqipërisë mund të arrijë edhe 9 për qind për vitin e ardhshëm (dalë nga një studim serioz), vijnë 950 milionë euro (gati një miliard) investim, të nënshkruar dje për energjetikën shqiptare, për ndërtimin me koncesion të tre hidrocentraleve mbi lumin Devoll. Së bashku me 2.2 miliardë eurot e Berluskonit, investimet e huaja të kontraktuara për këtë vit janë afro 7-fishi i një viti më parë. Duhet thënë se vendi ynë varet shumë nga këto investime. Jo vetëm pse ato në këto dhjetë vitet e fundit kanë përbërë 10-12 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto (GDP-së) të vendit. Jo vetëm pse janë një barometër i sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm tonin. Por për rrjedhojën më të rëndësishme: ndezjen e dritës në fund të tunelit. Ngrohjen e zemrës së njerëzve. Krahas dijeve dhe përvojës së çmuar që pasojnë tek shqiptarët, investimet e huaja hapin vende të reja pune. Si të thuash, mbushin Shqipërinë me shpresë. Me mijëra të rinj nuk do të shikojnë tashmë të ikin nga sytë këmbët nga vatrat e tyre familjare dhe vendi, sepse dy kompani gjigande do të japin qindra njoftime për vende pune. Dhe pikërisht kompanitë investuese në Devoll, austriakja EVN dhe norvegjezja STATKRAFT parashikojnë të punësojnë mbi 5 mijë punonjës drejtpërsëdrejti në frontin e punës dhe 2.500 të tjerë ndihmës. Krahina e Devollit do të shndërrohet në një kantier të madh ndërtimi dhe bashkë me të do të rrëzëllejë shpresë i gjithë Jugu i Shqipërisë. Lind pyetja: a mos vallë po futemi në një det të kotë entuziazmi? Nuk kanë krizë këto kompani në Austri dhe Norvegji? Duhet pranuar se këto dy vende janë ndër më pak të prekurat nga kriza financiare e përbotshme. Bankat austriake dhe norvegjeze kanë kapitalizim të mirë, asete më se të mjaftueshme bankare dhe nuk kanë investuar rëndshëm në instrumente toksike. Nga ana tjetër, është afër mendjes të pretendosh se edhe dy kompanitë investuese nga këto dy vende kanë bilance të shëndosha. Në kohët e sotme aventura financiare apo investimi nuk i falen as edhe një kompanie të vetme. Të gjithë i kanë sytë se mos dikush nga kompanitë e mëdha bën ndonjë lojë me shitje masive apo investime miliarda-euroshe. Menjëherë asaj kompanie do t’i largoheshin aksionerët. Prandaj dhe asnjë investues serioz nuk nënshkruan kontrata të tilla, si ajo e djeshmja në Kryeministri, pa i pasur paratë. Menjëherë do të etiketohej si mashtrues dhe në kohë të tilla kjo etiketë do të ishte shkatërruese për një kompani. Prandaj, dhe është tërësisht e arsyeshme të thuash se këto investime nuk janë premtime në erë, kontrata të firmosura në një sprovë të mundimshme për të gjetur paratë më vonë. Austriakja EVN apo norvegjezja STATKRAFT nuk janë Ajdin Sejditë e Evropës Nordike apo Qendrore. Ato janë firma gjigante të konsoliduara dhe me eksperiencë të jashtëzakonshme në investimet në energji, që dinë mirë se ç’do të bëjnë në Shqipëri. Ajo që duhet uruar është që burokracia proverbiale e administratës sonë shtetërore të mos i fusë shkopinj ndër rrota këtyre investimeve madhore. Ato nuk duhet kurrsesi të vonohen apo zvarriten, pse ne hyjmë vitin e ardhshëm në një vit zgjedhor. Përfaqësuesit e dy firmave të huaja nuk duhet të presin me orë apo me ditë në dyert e ministrive tona përkatëse, pse ministrat mund të jenë në fushatë. Duhet ndërtuar që tani infrastruktura, grupet e punës që do t’i shërbejnë përshpejtimit të ritmeve zbatuese të këtij investimi gjigand. Përvoja në punët me koncesion tek ne është shumë e paktë, prandaj që tani duhen filluar trajnimet e stafit të ministrive tona. Asnjë vonesë apo papërgjegjësi në këto angazhime nuk duhet falur. Janë në lojë interesat më të larta të vendit, ato të garantimit të një zhvillimi të shpejtë ekonomik, edhe pse kriza ka pllakosur Evropën e zhvilluar dhe pritet të importohet edhe tek ne. Dhe ilaçi antikrizë apo formula gati magjike e zhvillimit ekonomik shqiptar e ka emrin: prodhim i brendshëm në bum, plus investime të huaja masive.