E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Propozimi i Bajram Begajt për President, Pampuri: S’mund të kundërshtohet se është ushtarak, por si zgjedhje personale e Ramës

Orjola Pampuri, në cilësinë e zëdhënëses së Grupit Parlamentart të PD-së, ka reaguar pasi Komisioni i Ligjeve dërgoi në Kuvend emrin e Bajram Begajt për t’u votuar si President. Me një postim në Facebook, Pampuri shprehet se kandidimi i Begajt nuk mund të kundërshtohet sepse është ushtarak, argumenta këto të përdorur nga Sali Berisha, por sepse është zgjedhje personale e Ramës.

“Edi Rama do zyrtarizojë sot në mënyrë të njëanshme emërimin e Presidentit të Republikës, që nxori dje nga xhepi, pa asnjë proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Propozimi i kandidatit për President nga nongratat e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të damkosur nga SHBA se kanë vjedhur vota në bashkëpunim me krimin e organizuar, është prova e qartë e mungesës së legjitimitetit të PS për të zgjedhur njëanshmërisht Presidentin e Republikës”, thotë Pampuri.

Ajo shton se opozita u përfshi në proces dhe nuk bojkotoi e nuk u fsheh, teksa akuzon kryeministrin Edi Rama se nuk i qëndroi marrëveshjes për shkak se qëllimi i tij nuk ishte një president konsensual.

“Partia Demokratike bëri gjithçka dhe u përfshi në proces, në respekt të qytetareve dhe përgjegjësive të veta kushtetuese. Ne nuk bojkotuam, nuk u fshehëm, nuk bëmë retorikë politike. Tentuam të ndërtonim një proces që i jepte Shqipërisë një President që përfaqëson unitetin e popullit. Edi Rama nuk donte një proces gjithëpërfshirës, u tërhoq nga marrëveshja me opozitën dhe provoi para shqiptarëve që përbetimi se ishte i gatshëm për President konsensual ishte një mashtrim publik”, thekson Pampuri.

Qëndrimin e Sali Berishës, i cili ka thënë se do të votojë kundër çdo kandidati të Ramës për President, Pampuri e konsideron si “shërbimi më i mirë për t’i dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës”

“Legjitimimi i këtij procesi të njëanshëm dhe fshehja pas artificave procedurale, gjoja me votë kundër sepse është ushtarak, është shërbimi më i mirë për t’i dhënë tiparet e normalitetit demokratik regjimit të Edi Ramës. Bajram Begaj nuk mund të kundërshtohet se është ushtarak, por se është zgjedhje personale e Edi Ramës, në bashkëpunim me mafian e pronave shtetërore. Çdo cicërimë e ndryshme është thjeshtë fasadë për të fshehur legjitimimin e kapjes së një tjetër institucioni të pavarur nga Edi Rama, pikërisht nga të njëjtët individë që deri dje akuzonin duke shpifur kolegët e tyre se po bëheshin pjesë e ‘farsës’”, përfundon postimin e saj Pampuri.

Grupi i Enkelejd Alibeajt në PD nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ku u shqyrtua kandidatura e Begajt, teksa kanë deklaruar se nuk do të jenë të pranishëm as në seancën e posaçme në Kuvend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›