E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, Topi pret letër nga PD

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi është në pritje të një letre nga Partia Demokratike, e cila të përzgjedhë kryetarin e saj Sali Berisha si kryeministër të koalicionit të djathtë. Sipas procedurës së përcaktuar në Kushtetutë, kreu i shtetit emëron kryetarin e qeverisë, vetëm pasi atë e ka propozuar partia ose koalicioni fitues. Ndërkohë dje me një dekret, kreu i shtetit ka vendosur të thërrasë seancën e parë të legjislaturës XVIII të hënën e ardhshme në orën 18:00.
Letra
Në nenin 96, pika 1 e Kushtetutës përcaktohet procedura e emërimit të kryeministrit të ri. Sipas saj, duhet që forca që ka rezultuese në zgjedhjet e 28 qershorit, ose koalicioni fitues, që në rastin konkret është “Aleanca e ndryshimit” e kryesuar nga Partia Demokratike duhet të përcaktojë fillimisht emrin e kryeministrit të ri. Më pas është kreu i shtetit ai që e emëron dhe i hap rrugë formimit të qeverisë. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në nenin 96, pika 1 e ligjit themeltar të shtetit. Pas emërimit të kreut të qeverisë, procedura pasaardhëse është ajo e formimit të kabinetit qeveritar dhe nxjerrjes e dekretit nga ana a kreut të shtetit. Dekreti i presidentit votohet në parlament përmes një votimi të vetëm, ku janë të përfshirë programi i qeverisë, emri i kryeministrit dhe përbërja e qeverisë. Qeveria duhet të miratohet në parlament brenda një periudhe 10 ditore. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, thuhet më tej në nenin 97 të kushtetutës. Pas votimit në parlament të qeverisë së re dhe programit të saj, kabineti qeveritar i drejtohet sërish institucionit të Presidentit, ku bën betimin dhe në mënyrë simbolike zhvillon mbledhjen e parë të qeverisë.
Data
Presidenti Topi vendosi dje me dekret thirrjen e seancës së parë të parlamentit të hënën e ardhshme, në datë shtatë shtator. “Në mbështetje të neneve 67, pika 1 dhe 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, Dekretoj: neni 1, mbledhja e parë e legjislaturës së XVIII të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, thirret ditën e hënë, datë 07 shtator 2009, ora 18:00. Neni 2, ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në dekretin e publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës. Sipas Kushtetutës, parlamentit aktual i përfundon mandati më 2 shtator, pasi mbledhja e tij e parë ka qenë më 3 shtator 2005.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›