E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen për publikun shqiptar Meshari i Gjon Buzukut

13-11-2012 / Gazeta 55

Berisha: Kryevepër e gjuhës sonë liturgjike - identiteti kombëtar ka shtyllë kryesore gjuhën shqipe

“Meshari” i Gjon Buzukut menjëherë pas ardhjes në Tiranë nga Selia e Vatikanit është ekspozuar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Dokumenti i parë i botuar në gjuhën shqipe, do të qëndrojë aty deri më datën 28 Nëntor të 2012. Përmes një ceremonie të veçantë ardhja e kësaj vlerë kombëtare është përshëndetur nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Kryeministri shprehu mirënjohje për Selinë e Shenjtë, mbi mënyrën se si ishte
ruajtur Meshari, një dokument ky mjaft i rëndësishëm për gjuhën shqipe. “Një vizitor i pritur në shekuj, vjen sot, në Bibliotekën tonë Kombëtare dhe ky është libri që themeloi gjuhën e bukur shqipe të liturgjisë. I shkruar shekuj më parë nga Gjon Buzuku, ai kthehet sot, me germa më të arta se kurrë, në gjirin e fondit të bibliotekës së kombit të tij. Ndaj një mirënjohje të thellë i shprehim Selisë së Shenjtë, Bibliotekës së Vatikanit, për mënyrën e shkëlqyer që e ka ruajtur në shekuj, këtë dokument të parë, për nga rëndësia, të gjuhës shqipe, të shkruar në atë kohë, në alfabetin latin, në atë alfabet që shkruhet edhe sot kjo gjuhë. I ekspozuar këtu, së bashku me Bogdanin, Matrëngën, Juv Varibobën, të gjithë themelues e pasurues të gjuhës shqipe, Meshari dëshmon se, krahas kombeve të tjera, kombi shqiptar i frymëzuar në atë periudhe, nga rilindësit e Italisë dhe rilindësit në botë, filluan një lëvizje të fuqishme të zgjimit të ndjenjës kombëtare, nëpërmjet gjuhës.
Ne shqiptarët kemi një profil të veçantë të identitetit tonë. Identiteti ynë kombëtar, natyrisht si çdo identitet tjetër, bazohet në një aparat të caktuar genik, por tek ne, identiteti kombëtar ka për shtyllë kryesore, gjuhën e kombit. Sa më shumë ta studiojmë këtë gjuhë, sa më shumë të hulumtojmë për rrënjët dhe ecurinë e saj, aq më shumë do të kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit të kombit shqiptar. Kjo shtyllë e bën identitetin tonë, do të thosha një identitet të civilizuar. Një identitet, mbi të cilin shpresojmë dhe natyrshëm zhvillohet nacionalizmi, por gjithnjë një nacionalizëm, i cili synon respektin dhe bazohet në kulturën kombëtare, në vlerat e saj dhe jo në urrejtjen ndaj të tjerëve, për arsye të ndryshme”- theksoi kryeministri. Njëkohësisht, në vlerësimet e kreut të mazhorancës, ekspozimi i “Mesharit” shtyn më tej studimin e gjuhës, e për rrjedhojë studim për kombin tonë, pasi gjuha është shtylla e një kombi. “E ekspozuar me themeluesit dhe pasuruesit e gjuhës shqipe, Meshari dëshmon se, krahas fondeve të tjera, në kombin shqiptar filloi një lëvizje e fuqishme e zgjimit të ndjenjës kombëtare përmes gjuhës. Sa më shumë e studiojmë këtë gjuhë, sa më shumë studiojmë për gjurmët dhe rrënjët e saj, aq më shumë kontribuojmë në njohjen më të mirë të identitetit kombëtar”, nënvizoi Berisha.
Nga ana e tij, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari në fjalën hapëse të ceremonisë zyrtare falënderoi ministrinë e Kulturës që këmbënguli që ky libër të mbërrinte në atdhe me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “Ne sot kemi mundësinë të kemi në dorë Mesharin, kjo është liria dhe mundësia që krijon demokracia në Shqipëri. Dua të veçoj ministrin Bumçi që ngulmoi që Meshari të vinte në Shqipëri në këtë 100 vjetor. Gjithashtu falënderoj edhe qeverinë. Zoti Kryeministër biblioteka është mirënjohëse që keni sjellë Mesharin”, u shpreh Plasari.
Që nga botimi e deri më 1740, gati dy shekuj, “Meshari” ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740 në Bibliotekën e Propaganda Fides, afër Romës, Mesharin e don Gjon Buzukut (1555) e zbuloi ipeshkvi i Shkupit Imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›