Prostitucioni, ekstradohet nga Italia një 24-vjeçar

Foto Ilustruese
TIRANE- Interpol Tirana ka finalizuar një tjetër ekstradim të një shtetasi shqiptar, nga Italia për në Shqipëri. Sot është ekstraduar nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Engjëll BALLA, 24 vjeç, lindur në Durrës.
Sipas njoftimit të policisë, ndaj këtij shtetasi është caktuar masa e sigurisë arrest me burg nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2010, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të Marrëdhënies seksuale apo homoseksuale me persona të mitur dhe Dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit,
Në 2010 ky shtetas është ndaluar nga policia kroate pasi kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, i shoqëruar edhe nga një shtetase e moshës 14 vjeç. Në bazë të hetimeve të kryera nga policia kroate në bashkëpunim me Policinë e Shtetit tonë, është konkluduar se shtetasja e mësipërme ishte viktimë e trafikut për qëllim prostitucioni me destinacion Belgjikën.
24- vjeçari iu dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në aeroportin Nënë Tereza, Tiranë.