E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nëse vërtetohen akuzat, djalit t’i konfiskohet pasuria

16/03/2012  Korrupsioni, Balla akuzon familjen e Kryeministrit

Djali i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, është vënë sërish në qendër të debatit mes deputetit të PS-së Taulant Balla dhe Kryeministrit Sali Berisha. Edhe një herë deputeti socialist ka akuzuar Kryeministrin për favore në adresë të fëmijëve të tij, duke i kujtuar se Shkëlzeni deklaron 200 mijë euro pasuri si sekser apo agjent i pasurive të paluajtshme, pa pasur një aktivitet të mirëfilltë tregtar. Në reagimin e tij Kryeministri kujtoi Ballës procesin gjyqësor për shpifje me djalin e tij, duke deklaruar se, nëse pasuritë e Shkëlzen Berishës janë përfituar nga paratë publike, atëherë të konfiskohen nga drejtësia

Balla

Ishte deputeti i PS-së Taulant Balla që kishte kërkuar interpelancë me Kryeministrin në lidhje me çështjen e korrupsionit dhe për këtë qëllim kishte përzgjedhur katërvjetorin e ngjarjes së Gërdecit. Por akuzat për korrupsion më pas degjeneruan në akuza dhe kundërakuza deri dhe personale mes njëri-tjetrit. “Ti je baba i korrupsionit. Nuk the asgjë për strategjinë antikorrupsion. Ne nuk flasim në erë, por flasim mbi bazën e letrave. Korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar 10 herë, - iu drejtua Balla Kryeministrit. - Yt bir, Shkëlzen Berisha, deklaron të ardhura neto nga aktiviteti privat 200 mijë euro si sekser. Mungon emërtimi i kompanisë, statusi, natyra e organizimit të veprimtarisë së tët biri. Duhet të na thuash çfarë aktiviteti është ky që bën 200 mijë euro duke qëndruar në kafenetë e Tiranës.” Sipas Ballës, Berisha vetë është kthyer në sekser gjyqtarësh, ndërkohë që i kërkoi kreut të qeverisë të dorëzojë imunitetin. “Si Sanaderi në Kroaci je bërë edhe ti në Shqipëri. Po pengon vendin. Pa sanaderizimin e Shqipërisë nuk ka integrim. Kam një këshillë për ty: merr kurajën dhe dorëzo edhe ti imunitetin tënd. Eja me mua bashkë përpara prokurorisë dhe sqaro pozicionin tënd për Gërdecin dhe 21 janarin”, - i tha Balla kreut tëqeverisë.

Berisha

Por deklaratat e Ballës kanë hasur në kundërdeklaratat e Kryeministrit, i cili i kujtoi Ballës dënimin që ka marrë më parë për shpifje. “Parafolësi është i dënuar nga gjykatat e vendit për shpifje. Në një stan ku jeton, sa më shumë shpif, aq më shumë lartësohet, ndaj dhe unë nuk kam asnjë vërejtje për të. Le të ndalemi pak. Lexoi raportet e Komisionit Evropian, ku thuhet se korrupsioni është problem serioz. Sa të jem unë në qeveri, korrupsionin do ta konsideroj problem thellësisht serioz, me të cilin do të përballem me të gjitha potencialet”, - tha Kryeministri. Duke u sqaruar pozicionin e djalit të tij, kreu i qeverisë tha: “Për sa i përket sulmit personal që bëre ndaj djalit tim, ke një proces gjyqësor me të. Ky kryeministër ka vendosur që fëmijët e tij të deklarojnë pasurinë. Së dyti, meqenëse im bir ka deklaruar atë shifër, nëse vetëm 1 euro e ka të garantuar nga marrëdhëniet me sektorin publik, unë kërkoj t’i konfiskohen që të gjitha. Ka një kod në familjen time: nuk mund të kenë asnjë lidhje me sektorin publik”, - u shpreh më tej Berisha.

“Ti je baba i korrupsionit. Ne nuk flasim në erë. Korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar 10 herë. Yt bir, Shkëlzen Berisha, deklaron të ardhura neto nga aktiviteti privat 200 mijë euro si sekser. Mungon emërtimi i kompanisë. Duhet të na thuash çfarë aktiviteti është ky që bën 200 mijë euro duke qëndruar në kafenetë e Tiranës”

Sa i përket sulmit personal Ky kryeministër ka vendosur që fëmijët e tij të deklarojnë pasurinë. Meqenëse im bir ka deklaruar atë shifër, nëse vetëm 1 euro e ka të garantuar nga marrëdhëniet me sektorin publik, unë kërkoj t’i konfiskohen që të gjitha. Ka një kod në familjen time: nuk mund të kenë asnjë lidhje me sektorin publik

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›