Shqipëria drejt progres-raportit pa kryer “detyrat e shtëpisë”
Përmbajtja e raportit të progresit që Komisioni Europian pritet të publikojë më 12 tetor për Shqipërinë, duket se është e paracaktuar. Klasa politike shqiptare ka dështuar të ndërmarrë hapat e duhur në plotësimin e kërkesave kyçe, të renditura në opinionin për statusin e vendit kandidat, dokument i publikuar nëntorin e kaluar. Rrjedhimisht tonaliteti me të cilin Brukseli do t’i drejtohet Shqipërisë, edhe këtë herë duket se nuk do të jetë pozitiv. Prioriteti i parë kishte të bënte me garantimin e funksionimit të duhur të Parlamentit, mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv e të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike. Ndonëse ju rikthye parlamentit pas bojkotit të tejzgjatur, Partia Socialiste ju rikthye këtij qëndrimi direkt pas zgjedhjeve administrative të 8 majit 2011. Ishin zgjedhjet ato që jo vetëm që nuk e rigjetën rrugën e dialogut mes kampeve, por duket se i kanë ndarë palët edhe më shumë se në fillim. Pavarësisht se socialistët kanë premtuar rikthimin në punimet e Kuvendit në muajin shtator, deri më tani ka pak gjasa që të ketë një dialog parlamentar konstruktiv e të qëndrueshëm, siç e kërkon Brukseli. Prioriteti i dytë ka të bëjë me sugjerimin për miratimin e ligjeve të mbetura pezull e që kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament. Asgjë ligj që kërkon një konsensus pozitë- opozitë nuk ka arritur ende të miratohet në parlament, për shkak se opozita ka zgjedhur të kushtëzojë transparencën e zgjedhjeve me miratimin e ligjeve. Në këtë formë duket se jo vetëm ky prioritet, por edhe ai i emërimit të Avokatit të Popullit dhe procedurave të rregullta për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë, të konsiderohet i paplotësuar. Prioriteti i katërt i artikuluar nga Brukseli ishte ai i kryerjes së ndryshimeve në kuadrin ligjor për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Pozita dhe opozita, jo vetëm që nuk e gjetën rrugën për të realizuar reformën elektorale, por procesi i 8 majit tregoi se problemet në administrimin e zgjedhjeve janë shtuar. Në prioritetin e pestë, Komisioni Europian kërkonte të garantohej mbajtja e zgjedhjeve në pajtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Duket se thelbi i vlerësimit të këtij prioriteti nëse është arritur apo jo do të jetë formulimi që do të ketë raporti përfundimtar i vëzhgimit të zgjedhjeve nga misioni i OSBE/ODIHR-it, dokument që publikohet përpara raportit të progresit. Deri më tani ndërkombëtarët e kanë ndarë ditën e zgjedhjeve dhe periudhën përpara saj me atë çka ndodhi në numërimin e votave dhe specifikisht me zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Prioriteti numër gjashtë lidhej me përmbushjen e reformës në administratën publike për të garantuar profesionalizëm dhe depolitizimin e administratës. Nisur nga fakti se ka disa ligje në këtë kuadër që kërkojnë ndërhyrje me shumicë të cilësuar pritet që një prioritet i tillë të konsiderohet si pjesërisht i plotësuar. Raportet paraprake të zgjedhjeve e konstatuan edhe këtë herë përdorimin e administratës në fushatat elektorale të pozitës dhe opozitës. Kërkesa e shtatë i referohej forcimit të shtetit të së drejtës duke miratuar dhe zbatuar një strategji për reformën e gjyqësorit, e cila të garantojë pavarësinë, efiçencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve gjyqësore. Pritet që kjo kërkesë të cilësohet gjithashtu pjesërisht e adresuar, për shkak se vazhdon të kritikohet nga ndërkombëtarët korrupsioni në sistemin gjyqësor ashtu sikurse mungesa e transparencës në transferimin e gjykatësve. Gjithsesi, qeveria shqiptare ka përpiluar tanimë strategjinë për reformën e gjyqësorit. Kërkesa numër tetë e opinionit kishte të bënte konkretisht me luftën ndaj fenomenit të korrupsionit. Ndërsa vihet re se miratimi i strategjisë kundër korrupsionit, pati njëfarë progresi për finalizimin e planit të aksionit 2011-2013 kundër korrupsionit Brukseli ka shumë mundësi të përqendrohet tek problemi i mos heqjes së imunitetit për gjyqtarët, ministrat, deputetët me qëllim eliminimin e pengesave ndaj hetimeve. Vlerësimi pritet të jetë në pjesën më të madhe pozitiv sa i takon prioritetit numër nëntë që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar. Çështja e të drejtës së pronës që përbën shqetësimin e 10-të të Brukselit pritet të konsiderohet se ka ende nevojë të bëhet progres në adresimin e saj. Vlerësim për përmbushje të pjesshme pritet të jepet edhe për prioritetet e fundit, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, fëmijëve dhe romëve, ashtu sikurse edhe për përmirësimin e trajtimit të të ndaluarve në rajonet politike dhe qendrat e paraburgimit. D.Malaj