E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prostitucioni në lokal, arrestohen dhe 2 shtetas të tjerë

25/01/2009  U prangos më parë 46-vjeçarja dhe 2 vajza

KUÇOVË- Rrjeti i trafikut të prostitucionit në qytetin e Kuçovës është zgjeruar me arrestime të tjera, duke e çuar në pesë numrin e të arrestuarve. Policia e Beratit deklaroi mbrëmjen e djeshme se tashmë aksioni antitrafik, i koduar “Shuarja e meteorit”, ka vënë nën akuzë 5 shtetas. Mbrëmjen e djeshme policia bëri publike akuzën që rëndon ndaj gruas, e cila do të përballet sërish me drejtësinë, por këtë herë me një akuzë më të rëndë: atë të “shfrytëzimit të prostitucionit dhe mbajtje lokali për prostitucion të kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë vetë e akuzuara është shprehur gjatë marrjes në pyetje se nuk kishte trafikuar askënd dhe se akuzat e ngritura ndaj saj nuk bazohen askund. Por policia e Beratit deklaroi mbrëmjen e djeshme dhe arrestimin e Dilaver Buzit, 50 vjeç, banues në qytetin e Lushnjës. Sipas policisë, ai është pronari i lokalit ku dyshohet se ushtrohej prostitucion. Policia tha se ai ka qenë bashkautorë në shfrytëzimin e vajzave për qëllim prostitucioni në pronën e tij të dhënë me qira 40-vjeçares Subashi. Mësohet se ai siguronte vajza të moshave të ndryshme nga fshatra të rrethit të Lushnjës dhe i shfrytëzonte si punonjëse seksi në lokalin e tij. Së bashku me të ka rënë në pranga të policisë dhe një banore tjetër e Lushnjës, e cila realizonte lidhjet me vajzat. M. Hime, 32 vjeçe, është arrestuar mbrëmë pas shoqërimit në organin blu të vajzave që punonin si prostitutë në lokal. Policia tha se Hime do të përballet me veprën penale të “ shfrytëzimit të prostitucionit të kryer në bashkëpunim” . Në kohën që ekspertët e antitrafikut ushtruan kontroll në lokalin që ndodhet në hyrje të qytetit të Kuçovës, në vendin e quajtur “ Meteor”, policia arrestoi dhe dy vajza, të cilat ishin në pritje të klientëve të tyre në ambientet e lokalit. Vajzat me inicialet B.S., 26 vjeçe, me banim në Durrës, dhe B. P. 15 vjeçe, banuese në Kuçovë, u arrestuan nga policia dhe mësohet se do të përballen me akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”. Ato akuzohen se prej tre muajsh punonin si punonjëse seksi kundrejt 10 mijë lekëve të vjetra.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›