E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërndarja e formateve të reja në muajin shkurt

25/01/2009  Konferenca e Rektorëve, diplomat pa elemente sigurie

Shqetësimit të studentëve që janë diplomuar sipas sistemit të Bolonjës i është bashkuar edhe Konferenca e Rektorëve. Kreu i këtij institucioni, Jorgaç Kacani, ka pohuar se certifikatat e lëshuara nga Ministria e Arsimit për këtë kategori studentësh nuk kanë elemente sigurie, çka mund t’i bëjë këto të fundit lehtësisht të abuzueshme, sidomos për aplikimet në tregun e punës. Përkundrejt kësaj situate është pohuar se diplomat me të cilat duhet të pajisen këta studentë duhet domosdoshmërisht të përmbajnë elemente të fortë sigurie, titujt të specifikuar dhe fakultetin. Për këtë Kaçani tregon se brenda kësaj jave do të propozohen variantet e reja të diplomave, që do të shkojnë për miratim pranë Ministrisë së Arsimit, në mënyrë që të mos cenohet më tej e drejta e studentëve në lidhje me periudhën e studimeve të kryera. Kacani ka pohuar se formatet e reja do të përmbajnë të gjitha elementet e sigurisë, ndërkohë që ka sqaruar se brenda muajit shkurt të gjithë studentët që kanë mbaruar do të pajisen me diplomat e reja. Prej ditësh studentët kanë protestuar në lidhje me modelin e diplomave të lëshuara nga Ministria e Arsimit për pasaktësitë e gjetura në to, duke treguar se këto diploma i diferencojnë ata nga tregu i punës, pasi janë lehtësisht të manipulueshme për shkak të mangësive në elementet e sigurisë. Protestës së zhvilluar dy ditë më parë i është bashkangjitur edhe Unioni i Gazetarëve, që ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse në zgjidhjen sa më parë të këtij problemi, që dëmton rëndë studentët. Këta të fundit kanë vendosur që të mos tërheqin modelet e miratuara nga Ministria e Arsimit deri në rishikimin e tyre dhe reflektimit të mangësive të gjetura. Gjithashtu studentët i janë drejtuar me një peticion edhe Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit për padrejtësinë që u është bërë, duke kërkuar ndihmën e tyre në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Nëse Ministria e Arsimit nuk do të reagojë, ata do të vijojnë protestat. Ditë më parë edhe kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ka pohuar se përgjegjëse për këtë veprim është Ministria e Arsimit, e cila ka tejkaluar kompetencat dhe ka përcaktuar vetë variantin e diplomave, duke shkelur në të këtë mënyrë ligjin. Kjo e drejtë u takon senateve të universiteteve dhe më pas është Ministria që përzgjedhë varantin e duhur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›