E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të humburit me gomone, identifikohet trupi i Jani Golajt

25/01/2009  Gjenden në ujërat kroate dokumentet e vëllait tjetër të humbur, Spiro Golaj

Të afërmit e dy vëllezërve Golaj kanë identifikuar në Kroaci trupin e njërit prej vëllezërve që ishin në gomone, atë të Jani Golajt. Njëri prej vëllezërve Golaj, që ka mbërritur në Kroaci së bashku me një person tjetër, ka deklaruar për të afërmit e tij dhe policinë kroate se trupi i gjetur i përket të vëllait të tij Jani Golaj. Njazi Golaj deri në drekën e ditës së djeshme nuk kishte mundur të shihte trupin e pajetë të të vëllait të mbytur, pasi nuk janë lejuar prej stafit të këtij spitali, sepse nuk kanë qenë personat kompetentë për t’i shoqëruar. Dy personat që gjenden në Kroaci për identifikimin e trupave, pavarësisht se kanë kërkuar takim apo shoqërim prej përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Kroaci, sipas tyre, nuk kanë gjetur mbështetje prej kësaj të fundit për arsye që nuk dihen. Ndërkohë dy të afërmit e viktimave janë shprehur se do të ndërmarrin vetë një operacion kërkimi në zonën ku u gjet gomonia si dhe trupi i parë. Këtë kërkesë ata e kanë bërë shpeshherë nëpërmjet telefonatave me të afërmit, të cilëve u kërkonin që të gjendej ndonjë mundësi për kontaktimin e ambasadës shqiptare, por deri në orët e drekës nuk pati asnjë njoftim. Ndërkohë thuhet se autoritetet kroate i kanë vazhduar kërkimet për gjetjen e Spiro Golajt, dokumentet e të cilit janë gjetur në ujërat kroate. Jani dhe Spiro Golaj ndodheshin së bashku e Romeo Pulizin në gomonen që doli për peshkim rreth një javë më parë. Atyre u ishte fikur motori në mes të detit. Dhe pse njoftuan të afërmit me celularë, ata nuk mundën të shpëtoheshin, pasi nuk u pikasën nga forcat e shpëtimit. Vetëm Romeo Pulizi u gjet i gjallë në ujërat kroate, ndërsa trupi i Jani Golaj u gjet i pajetë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›