E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefer: “Në 60-vjetorin e NATO-s shpresat janë bërë realitet”



Punimet e Samitit të Strasburgut u hapën nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, i cili përshëndeti anëtarët e vjetër dhe të rinj që iu bashkuan Aleancës. Duke theksuar faktin e 60-vjetorit të krijimit të Aleancës, Shefer vlerësoi se shpresat e NATO-s janë bërë realitet. “NATO-ja ka kontribuuar për një periudhë të paprecedentë paqeje, lulëzimi dhe e gjitha kjo është provë e asaj që mund të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit tonë me një qëllim të përbashkët”,- u shpreh Shefer. Menjëherë pas tij e mori fjalën presidenti francez, Nikola Sarkozi, i cili vlerësoi se NATO-ja është në shërbim të paqes dhe jo luftës. “Gjermania dhe Franca së bashku kanë vullnetin e paqes dhe ne e tregojmë këtë”, - u shpreh Sarkozi.
Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se NATO-ja ka një shans për të bërë shumë në të ardhmen dhe se Afganistani është një test. “Strategjia e re për Afganistanin është një provë”, - u shpreh Merkel, e cila premtoi gjithashtu se Gjermania do të japë kontributin e saj, qoftë në numrin e ushtarëve, qoftë nëpërmjet përpjekjeve civile.

60-vjetori i NATO-s konsiderohet simbol vazhdimësie

Aleanca e NATO-s festoi dje 60-vjetorin e krijimit të saj. Ky takim i nivelit të lartë i tregoi botës se Aleanca vazhdon të jetë e fortë. Takimi ka një simbolikë tejet të madhe. Udhëheqësit e NATO-s u takuan në të dyja anët e lumit Rehn, një urë lidhëse nga Gjermania në Francë. Zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apathurai, u shpreh se pjesë e takimit do të ishin edhe festimet. “Janë 60 vite suksesi të NATO-s, por ne duam të hedhim vështrimin drejt së ardhmes. Kjo përkon me udhëtimin e parë të presidentit Obama në Europë, takimit të tij të parë me kolegët e NATO-s dhe pikërisht kjo është një gjë tjetër për të cilën do të festohet. Kjo po ndodh në zemër të Europës dhe ne mendojmë se është një moment i rëndësishëm simbolik”. Ky takim shënoi gjithashtu rifutjen e Francës në komandën e NATO-s pas më shumë se 40 vitesh largimi.
Presidenti amerikan Barak Obama u paraqit me strategjinë e re të Uashingtonit për çështjen e Afganistanit dhe Pakistanit së bashku, duke u përqendruar në përpjekjet ushtarake dhe ato civile, si dhe duke shtuar përpjekjet diplomatike. Kjo strategji gjeti përkrahje në Europë me komentet që bëri kancelarja gjermane Angela Merkel, se strategjia e re e Uashingtonit është në të njëjtën linjë me atë që ka mbështetur Gjermania. Masat e sigurisë ishin të larta, me dislokimin masiv të forcave policore në qytet dhe përreth tij.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›