Protesta e 20 Nëntorit, opozita tre ditë në shesh
Opozita proteston në Fier për t'ju bashkuar protestës së 20 Nëntorit. Deputetët mblidhen për organizimin.
FIER- Opozita e majtë dhe e djathtë ka nisur dje nga Fieri etapën e fundit të protestës së saj, që do të kulmojë me tubimin e 20 nëntorit në Tiranë, i cili siç mësohet nga burime pranë PS-së, do të zgjasë plot tre ditë dhe objekt kryesor do të jetë kërkesa për të bërë transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Kreu socialist, Edi Rama, ai i PDS-së, Paskal Milo, i G99-ës Erion Veliaj, i PLiDr Spartak Ngjela dhe ish-përfaqësues të lartë të LSI-së, si dhe shumë deputetë socialistë zhvilluan dje protestën e radhës në Fier në kërkim të hapjes së kutive të votimit të përdorura në zgjedhjet e qershorit, ku kanë paralajmëruar edhe largimin e Berishës nga pushteti.
Rama
Kreu socialist, Edi Rama e ka nisur fjalën e vet para protestuesve të shumtë që kishin mbushur sheshin kryesor të qytetit të Fierit me një apel drejtuar drejtësisë, për të zbardhur ngjarjen e rëndë ku deputeti socialist, Fatmir Xhindi u vra në derën e shtëpisë së tij.
Ai i ka kujtuar pushtetarëve të drejtuar nga kryeministri Berisha, se socialistët nuk e kanë harruar dhe nuk do ta harrojnë kurrë njeriun e tyre, i cili u vra nga njerëz, që ende nuk janë vënë para bankës së të akuzuarve.
"Unë dua që në këtë moment, Sali Berisha dhe të gjithë ata që e ndjekin pa dyshim këtë protestë, të dëgjojnë për 1 minutë zërin e fortë të heshtjes tuaj, në nderim të Fatmirit dhe njëkohësisht në shprehje të së vërtetës së madhe, se ne jo vetëm nuk harrojmë, por nëqoftëse drejtësia nuk bën drejtësi, ne nuk falim", - u shpreh kryetari i PS-së, Edi Rama.
Ndërsa, duke u përqendruar tek beteja për hapjen e kutive të votimit, shefi i selisë rozë i ka bërë thirrje kundërshtarit të tij politik, kreut të qeverisë Sali Berisha, që t'i hapë rrugë hetimi të zgjedhjeve, pasi në të kundërt do të përballet me revoltën qytetare.
Madje, ai nuk ka nguruar të theksojë se kokëfortësia, që po tregohet nga ana e qeverisë për të mos lejuar hapjen e kutive, do të bëjë të mundur që ajo të largohet edhe më përpara sesa mund të imagjinohej para nisjes së stinës së protestave.
"Edhe nga Fieri i themi të gjithë bashkë Sali Berishës, mos rri mbi kutitë e mbyllura të zullumit të 28 qershorit, se do të fundosesh vet ti në atë zullum, njësoj si kur u zgjodhe President, sepse nuk i le shqiptarët të zgjedhin lirisht Parlamentin, por ndryshe nga atëherë kur more tërë Shqipërinë me veten, ne nuk do të presim që t'i të fundosesh bashkë me Shqipërinë në gropën e madhe që po i hap përditë ekonomisë shqiptare. Sepse po nuk hape kutitë, siç e kërkon arsyeja madhore e vendit, do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të parakohshme", - tha Rama.
Për të arritur këtë qellim, por edhe një sërë kushtesh të tjera që kanë të bëjnë me themelet e demokracisë në vend, Rama ka ftuar qytetarët e Fierit që t'i bashkohen protestës që do të nisë ditën e premte në sheshin "Skënderbej" dhe që pritet të përfundojë vetëm të dielën, ku natyrisht opozita do të synojë të arrijë objektivin e vet, hapjen e kutive.
Më 20 nëntor, Shqipëria e atyre që nuk paguajnë dot ilaçet, librat e shkollës së fëmijëve, që nuk kanë mundësi për punë, apo që humbasin punën për shkaqe politike apo krizës ekonomike, që nuk kanë mundësi për të ardhmen duhet të mblidhet në sheshin "Skënderbej" për të pushuar nga puna Sali Berishën", - theksoi Rama.
Aleatët
Protestën e Fierit ashtu si edhe gjithë protestat e tjera të zhvilluara më parë e kanë përshëndetur edhe krerët e partive të tjera, që i janë bashkangjitur kësaj beteje. Kështu, duke folur në takim, kreu i PDS-së Paskal Milo theksoi se fati i Sali Berishës është në dorën e qytetarëve shqiptarë.
"Është në dorën tonë që ta kemi fundin e Sali Berishës si një dhuratë pse jo për vitin e ri, nëse nuk plotëson kushtet e opozitës, fundi i tij politik është shumë i shpejtë. Tashmë si në 97-ën kanë nisur t'i dridhen gjunjët. Me Sali Berishën nuk ka kompromis në tavolinë, ai njeh kompromisin e imponuar, vetëm atëherë kur të bindet se nuk mund të qëndrojë më në pushtet", - tha Milo.
Ndërkohë që kreu PliDr, Spartak Ngjela u shpreh se nuk mund të ketë shoqëri demokratike pa votë të lirë. "Talljes së tyre do t'i vëmë forcën, sepse do të na deformojë, nga një gjendje të varfër e pa shpresë, në një gjendje me shpresë. E keni filluar ju si qytet dhe do të përfundojë në Tiranë, për të rrëzuar këtë tirani", - tha Ngjela. Ndërsa ish-anëtari i LSI-së, Fatos Klosi
i konsideroi pretekst absurd arsyet, që paraqet mazhoranca se nuk mund të hapen kutitë pasi nuk mund të dilet mbi gjyqësorin. "Ka edhe precedentë të tjerë që jo vetëm janë hapur kutitë, por edhe janë hapur arkivat e shtetit", - tha Klosi.
Në mitingun e Fierit ka qenë i pranishëm edhe deputeti Arben Malaj, i cili njihet si përfaqësues i LMN-së. Pas protestës, deputetët e qarkut të Fierit kanë shtruar një darkë për gjithë grupin parlamentar socialistë, ku është diskutuar edhe mbi organizimin e protestës së 20 nëntorit.
Në të mësohet se përveç vendimit për të protestuar tre ditë rresht është rënë dakord, që protestuesit të qëndrojnë në shesh me radhë duke ia lënë stafetën njeri tjetrit, ndërsa gjatë natës do strehohen në çadra. Bashkë me ta në çadra do të qëndrojnë edhe deputetët, 30 natën e parë dhe 30 natën e dytë.