Refuzohen për së dyti 50 mijë eurot e Taçit për lirinë
Gjykata hodhi poshtë dje kërkesën për revokimin e masës së arrestit ndaj biznesmenit, shpresa te Apeli të premten
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, rrëzoi paraditen e djeshme kërkesën e avokatëve mbrojtës të biznesmenit Rezart Taçi për revokimin e masës së sigurisë "arrest me burg" dhënë tre ditë pas rrahjes së gazetarit Mero Baze në një lokal në zonën e ish-bllokut mbrëmjen e 2 nëntorit.
Sipas vendimit të gjykatës, edhe pse kanë kaluar 15 ditë nga ngjarja nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë e cila mund të sjellë rrethana lehtësuese për biznesmenin e akuzuar për ushtrim dhune ndaj gazetarit Mero Baze, që gjykata t'i ndryshonte masën e sigurisë.
Të njëjtin pretendim pati edhe prokurori i çështjes, para gjyqtares Fahrie Budo. Ai kërkoi nga kjo e fundit të mos ndryshonte masën e sigurisë ndaj biznesmenit Rezart Taçi, duke vlerësuar mosndryshimin e rrethanave.
Ndërkohë, në fjalët e tyre para dhënies së vendimit, mbrojtësit ligjorë të të arrestuarit, kërkuan që gjykata të ndryshonte masën e sigurisë, pasi janë siguruar një sërë provash të reja materiale që paraqesin rrethana lehtësuese për klientin e tyre. Ata gjithashtu ofruan edhe një shumë prej 50 mijë eurosh në formën e garancisë pasurore të dhënë nga Taçi.
"Kemi siguruar dhe kërkojmë nga gjykata të administrojë si prova të reja dëshmitë e katër personave që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, të cilët shprehen një zëri se "Rezart Taçi nuk ka qëlluar ndaj gazetarit Mero Baze"-thanë avokatët. Gjithashtu, sipas tyre, është siguruar edhe akt-ekspertimi mjeko ligjor i nipit të Taçit, shtetasit Irgen Selfo, ndaj të cilit gazetari Baze në kushtet e vetëmbrojtjes e kishte qëlluar disa herë në fytyrë.
Pas seancës së djeshme avokatët u shprehën se pretendimet e tyre do t'i ngrinin edhe në Apel, gjatë seancës që pritet të mbahet të premten, për të shqyrtuar ankimimin e Taçit. Biznesmeni Rezart Taçi, bashkë me nipin e tij Irgen Selfo dhe shoferin e kompanisë së tij, u arrestuan pasi mbrëmjen e 2 nëntorit në një lokal në ish- bllok, kanë qëlluar me grushte dhe sende të forta gazetarin Mero Baze në prani të kolegëve të tij, Andi Bushati e Arban Hasanaj. Të tre të arrestuarit akuzohen për veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës".