Sulmuan policinë, mbyllet hetimi për vëllezërit laçianë
Krimet e Rënda
Në janar, dy të akuzuarit pas lirimit nga policia kanë qëlluar në drejtim të grupit të gatshëm me armë zjarri
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të dy vëllezërve laçianë Artur e Gentian Suti, të akuzuar për sulm me armë ndaj policisë më 21 janar të këtij viti.
Sipas kërkesës për gjykim që do të shqyrtohet tek Krimet e Rënda, nga Klodian Kurushi, dy vëllezërit kanë konsumuar krimet e "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" katër herë të mbetur në tentative në bashkëpunim; "Mbajtje pa leje të armëve luftarake"; "Fyerjes për shkak të detyrës dhe "Mosbindje të urdhrit të policisë".
Mësohet se ka qenë data 21 janar e këtij viti, kur policia e Laçit ka shoqëruar për në ambiente të policisë shtetasin Artur Suti, pasi ky i fundit aty nga pasditja e orës 16:00 po qarkullonte me shpejtësi nëpër qendër të qytetit me motor dhe po bënte spektakël. Këto manovrime kanë shqetësuar banorët e qytetit të cilët kishin dalë xhiro, duke lajmëruar efektivët e policisë për këtë rrëmujë.
Pas kësaj, grupi i gatshëm i Policisë ka shkuar në vendin e ngjarjes duke shoqëruar në Polici Artur Sutin. Në orën 23:00 të mbrëmjes, policia ka liruar Arturin, të cilin në dalje të Komisariatit e priste i vëllai Gentian Suti.
Të dy së bashku, njëri me motorçikletën e markës "Yamaha" dhe tjetri me një veturë "Mercedez- Benz" 250, pa targa, kanë nisur të hakmerren duke bërë karshillëk policisë, duke shkaktuar zhurmë dhe xhirim gomash nëpër qendër të qytetit.
Në orën 00:30 minuta, tek vendi i quajtur "Kryqëzimi i Pazarit", në shëtitoren e qytetit, dy vëllezërit Suti nuk i janë bindur urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar, duke zbritur nga motori Arturi dhe me pistoletë në dorë ka qëlluar ndaj furgonit të policisë ku ndodheshin katër efektivët.
Pas kësaj, ai ka filluar të shajnë dhe ofendojë policët të cilët i janë shmangur plumbave të dy vëllezërve. Të dy ata kanë mundur të ikin, por mëngjesin e kësaj dite është arrestuar Genti Suti ndërsa i vëllai i tij është kapur 6 muaj më pas nga forcat e RENEA-s.