E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e FRESSH: “Të largohet Prifti”

Autori i Lajmit: Redaksia
Të rinjtë socialistë kërkojnë largimin e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti. Anëtarët e Forumit Rinor Eurosocialist kanë zhvilluar dje një tubim përpara Ministrisë së Energjetikës për të kërkuar largimin e Priftit, i cili sipas tyre, përmbyti Shkodrën duke mos zbatuar rregulloren përkatëse për HC në lumin Drin. “Edhe kjo që shihni këtu, kjo kuti e madhe dhe e mbyllur që nuk e hapin, është edhe kjo si të tjerat, njëra nga çuditë e panumërta të qeverisjes së sotme. Por në ndryshim nga kutitë e tjera të mbyllura që i quajnë ministri, kjo kuti bosh që përmbyti Shkodrën, pretendon të jetë kishë, madje kishë me në krye një prift! Dil nga kutia e mbyllur dhe ik nga sytë këmbët, o prift. Dil dhe ik, se as ti nuk je prift, as kutia ku je mbyllur ti nuk është kishë. Ik se nuk ka besimtarë aq budallenj sa të besojnë ty dhe kishën tënde boshe. Ik, o prift! Ik se vërtet reshjet nuk të pyesin ty kur bien, pra rënia e reshjeve është rastësi që nuk varet nga ty, por nuk është rastësi që ti je aty, dhe nuk është gjithashtu rastësi që ti bashkë me të tjerët rreth vetes që jeni aty, nuk i bëni dot ballë punës, as dhe motit të parashikuar, shkurt jeni të paaftë”, - deklaroi Elisa Spiropali. Sipas saj, Prifti duhet të largohet pasi ka fshehur të dhënat statistikore, si atë të datës 27 dhjetor për shembull. Ai i ka fshehur dhe i mban mbyllur dhe kyçur, më mbyllur dhe më kyçur se kjo gjë e madhe që sështë as kishë as ministri, por kuti.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›