E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e Ramës Komision hetimor me shumicë opozitare ose protesta

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste është e gatshme të dialogojë me mazhorancën për të zgjidhur krizën, por nuk heq dorë nga kërkesa e saj themelore për transparencën e zgjedhjeve. Kryesocialisti Edi Rama përshëndeti dje projektrezolutën e Këshillit të Evropës dhe shprehu vullnetin e Partisë Socialiste për dialog, por kur palët të ulen të barabarta në tryezë. Ai tha se opozita kërkon shumicën dhe kryesimin e komisionit hetimor për zgjedhjet, ndërsa këshilloi kryeministrin Sali Berisha të lexojë mirë rekomandimet e KE-së. Rama tha se deri në këtë moment opozita nuk do të rrijë duarkryq, por do të vazhdojë protestat, ndërkohë që deputetët socialistë do të vazhdojnë me bojkotin.
Deklarata
Përshëndes projektraportin e Komitetit për Monitorimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës. I falënderoj reporterët e këtij këshilli për kontributin e tyre në parashtrimin shumë serioz për gjendjen e demokracisë në vendin tonë, si edhe, posaçërisht, në nënvizimin e domosdoshmërisë për të hetuar zgjedhjet në Shqipëri”, - tha dje Rama pas publikimit në media të projektrezolutës së KE-së që do të diskutohet më 28 janar. Ai shtoi se bashkohet në mendimin se Shqipëria sot është në një krizë të vajtueshme politike e institucionale, paralizuese ndërsa shprehu gatishmërinë e opozitës për të dhënë çdo kontribut në trajtimin si duhet të kësaj krize, duke e kërkuar zgjidhjen e saj në rrënjë, përmes transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 Qershorit. “Ndaj me ta, si edhe me të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë, bindjen se dialogu mes forcave politike në një vend demokratik bëhet në parlament dhe përsëris qëndrimin e palëkundshëm të opozitës për të mos u bërë pjesë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 Qershorit, deri ditën kur e drejta jonë kushtetuese e demokratike, për hetimin me themel zgjedhjeve, nuk do të materializohet në një marrëveshje të negociuar mes palëve, e cila ti hapë rrugë një komisioni hetimor parlamentar me shumicë e kryesim të opozitës e me asistencën dhe monitorimin përkatës ndërkombëtar”, - tha Rama. Kryesocialisti konfirmoi pjesëmarrjen e opozitës në çdo tryezë serioze, siç tha ai, të organizuar për këtë çështje, duke e konsideruar dialogun një mjet të patjetërsueshëm për daljen nga kjo krizë e rëndë që vetëm thellohet. Po ashtu, ai shtoi se opozita pranon dialogun, por ndërkohë nuk do të qëndrojë në vend, por do të vazhdojë protestat. “Dialog po, menjëherë. Qëndrim në vend jo, asnjë moment. Zgjidhje përmes dialogut po, menjëherë. Zvarritje me justifikimin se po e kërkohet një zgjidhje jo sot jo nesër, asnjë moment. Ne nuk kemi dy rrugë, po vetëm një: Rrugën e së drejtës së këtij populli për të zgjedhur lirisht me votë dhe për të parë në dritën e diellit si është administruar vota e tij”, - tha ai. Rama tha se mirëpritet dhe çdo asistencë ndërkombëtare në këtë drejtim, ngado që të vijë, BE, KE, OSBE, vende mike apo të gjithë bashkë qoftë. “Ftoj Sali Berishën ta lexojë drejt këtë sinjal të fortë shqetësimi, por edhe sugjerimet konkrete që vijnë përmes këtij sinjali, nga Këshilli i Evropës dhe ti japë fund bojkotit të opozitës, duke i dhënë popullit opozitar të drejtën të shohë gjithçka ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara dhe gjithçka gjendet në kutitë e mbyllura të 28 Qershorit, mu aty në Parlamentin e Shqipërisë përmes atij mekanizmi kushtetues që e garanton këtë; komisionit hetimor parlamentar, pa asnjë kushtëzim që kufizon liri e të drejta kushtetuese që janë për ne të panegociueshme”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 21/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›