E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Të gjithë sot në protestë për të fituar lirinë

Ish-deputeti demokrat, Spartak Ngjela, ka ftuar qytetarët që të vendosin drejtësi në këtë vend për të "shporrur", siç u shpreh ai, "kryeministrin otoman"

Sipas Ramës, protestat nëpër akset rrugore nuk ishin për të bllokuar qarkullimin, por, siç u shpreh ai, protesta për të vënë në lëvizje Shqipërinë.


TIRANË - Hapja e kutive të votimit për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit është kthyer tashmë për opozitën në një kauzë, nga e cila nuk mund të heqë më dorë. Kreu socialist, Edi Rama, në ditën e 14-të të protestës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është shprehur i palëkundur në vendosmërinë për t'i shkuar deri në fund kësaj çështje, për të cilën, siç u shpreh ai, nuk ka kthim prapa.


Në fjalën e tij të mbajtur në protestën e radhës, kreu socialist ka denoncuar edhe dhunën e ushtruar nga policia ndaj manifestuesve dhe përkrahësve të opozitës, dhe në veçanti ndaj ish-kryeministrit të vendit Pandeli Majko, teksa ka paralajmëruar se ndaj atyre, (drejtuesve të policisë) që po i shërbejnë pushtetit, duke goditur protestuesit do të bëhet drejtësi sapo të vendoset shteti i së drejtës.


Rama


Opozita ka mbyllur dje në mbrëmje plot dy javë protestë intensive dhe greve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".


Dje ka qenë sërish radha e socialistëve të qarkut të Tiranës për të tubuar dhe mbështetur grevistët e urisë që kanë plot 13 ditë që në shenjë proteste për mos hapjen e kutive i kanë privuar vetes ushqimin.


Kreu socialist, Edi Rama, duke marrë fjalën në këtë tubim, që në fillim i ka kushtuar një vëmendje të veçantë incidenteve të ndodhura ditët e fundit mes policisë dhe protestuesve të opozitës që në akse të ndryshme rrugore kanë shprehur solidaritetin e tyre me grevistët e urisë.


Sipas Ramës, protestat nëpër akset rrugore nuk ishin për të bllokuar qarkullimin, por, siç u shpreh ai, protesta për të vënë në lëvizje Shqipërinë. "Ishin protesta sensibilizueze, shfaqje të solidaritetit qytetar me grevistët e urisë, aty ku policia respektoi protestën dhe protestuesit gjithçka shkoi normalisht.


Aty ku ato u sollën harbutërisht gjithçka shkoi keq", - tha Rama në fjalën e vet. Ai u ka bërë thirrje drejtuesve të policisë se nuk do të jetë e largët dita që të gjithë ata që shkelin ligjin dhe prekin përkrahësit e opozitës të mbajnë përgjegjësi ligjore.


"Të gjithë, pa përjashtim që të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t'i shërbyer qytetarëve, duke garantuar ligjin duhet ta fusin mirë në mendje se një ditë sado e largët, unë ju premtoj se do të mbajnë përgjegjësi", - tha Rama. Ai e konsideroi të turpshëm faktin që Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, nuk reagoi lidhur me dhunën e ushtruar edhe ndaj deputetit Majko.


Megjithatë, ai ka theksuar se nuk habitet nga kjo heshtje e ministrit, për shkak se ai është më i interesuar se kushdo tjetër që të mos pranojë transparencën e votës, pasi kështu do të merrte fund qeveria ku ai, sipas Ramës, ka strehën e tij për tu mbrojtur nga drejtësia. "Nuk habitem nga mosreagimi i Ministrit të Brendshëm, sepse ai është në atë vend që është sepse drejtësia nuk është në atë vend që duhet të ishte", - tha më tej Rama.


Nisur edhe nga këto veprime të forcave të policisë, por edhe nga mungesa e një zgjidhje të kësaj krize, kreu socialist i ka bërë të ditur kundërshtarëve të vet se presioni dhe lodhja fizike nuk do të detyrojnë kurrë opozitën që të heqë dorë nga kjo betejë. "Askujt mos t'i shkojë mendja se ne mund të lodhemi, se ne mund ta zmbrapsemi.


Ne jemi këtu në këtë beteje dhe nuk duam pushtetin në tavolinë, por duam që transparenca të bëhet në tavolinë në mënyrë që shtetit të mos gjeneroi vetveten", - shtoi Rama, duke ftuar të gjithë qytetarët që vuajnë nga qeverisja e tashme që t'i bashkohen protestës së sotme. "Ejani nesër (sot) në orën 18:00 këtu që të gjithë.


Ejani nesër (sot) në orën 18:00 këtu, sepse bëhen dy javë nesër nga ngritja e kësaj çadre. Bëhen dy javë nesër që Ermonela, Shega, Olta, Anila, Mimoza, Flora janë këtu brenda për të gjithë ne, janë këtu brenda për të gjithë ju.


Janë këtu brenda jo vetëm për fëmijët e tyre, por edhe për fëmijët tuaj. Janë këtu brenda që qeveria të ndihmojë çdo shqiptarë e shqiptare që ta fitojë bukën, duke fituar lirinë dhe të drejtën e punës së ndershme...", tha ai.


Protesta


Akoma më i ashpër në fjalën e vet ka qenë ish-deputeti demokrat, Spartak Ngjela, i cili ka ftuar qytetarët që të vendosin drejtësi në këtë vend për të "shporrur", siç u shpreh ai, "kryeministrin otoman". "Ne nuk mund të lëmë më otomanizmin në Shqipëri.


Por do të vijë koha, nesër fillon koha e të plagosurve në betejat e tjera, me duar, me forcë, me gjithçka, derisa të arrijnë zgjedhjet e lira në Shqipëri. Nesër do t'i japim orët e fundit që të hapi apo jo kutitë. Do t'i hapë apo jo, kjo do të varet nga forca jonë", - tha Ngjela.

Ndërkohë që edhe përfaqësues të tjerë të së majtës kanë theksuar se dhuna e pushtetit ndaj opozitës, nuk do ta pengojë këtë të fundit që të vërë në vend institucionin e votës. Po ashtu edhe grevistët që folën nga brenda çadrave pavarësisht se kanë pranuar lodhjen fizike, janë shprehur të palëkundur në rezistencën e tyre.


Madje, një prej grevistëve, një student i fakultetit të Mjekësisë i ka kujtuar kryeministrit se pavarësisht se kanë 13 ditë të ngujuar dhe pa ngrënë për 13 sekonda mund të jenë në zyrën e tij për ta rrëzuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›