Protesta e banorëve të Niklës për energjinë, CEZ: Zona, debitore në masën 90 %

CEZ Shperndarje / foto arkiv
CEZ Shpërndarje sqaron situatën e krijuar në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, ku tri ditë më parë, një grup banorësh bllokuan aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë, me pretendimin se nuk furnizoheshin me energji elektrike prej një muaji. Përmes një deklarate për shtyp, CEZ Shpërndarje bën të ditur se mungesa e energjisë ka ardhur si pasojë e disa masave për të mbrojtur rrjetin e shpërndarjes nga dëmtimet e mëtejshme në këtë zonë.
Këto masa përfshijnë shkëputjen nga rrjeti i shpërndarjes së energjisë të lidhjeve të paligjshme, ndërprerjen e furnizimit me energji të debitorëve, si dhe rikthimin e rrjetit në gjendjen e tij normale. Zona në fjalë rezulton debitore në masën mbi 90%, dhe ka një numër shumë të lartë të lidhjeve të paligjshme, nëpërmjet të cilave vidhet energjia, duke shkaktuar humbje në masën 70%, duke çuar kështu humbjet totale në masën 98% të energjisë që përçohet në zonë. Duke marrë parasysh këto rrethana, shkëputja e energjisë për lidhjet e paligjshme dhe ndërprerja e energjisë për debitorët janë e vetmja mundësi kundër fenomenit negativ të vjedhjeve në rrjet, thuhet në deklaratën e CEZ Shpërndarje.
CEZ Shpërndarje bën me dije se vazhdon furnizimi me energji elektrike i institucioneve të rëndësishme, si spitali dhe burgu i qytetit, dhe po punon intensivisht për furnizimin me energji të klientëve të rregullt.
Mbrojtja e rrjetit furnizues, një nga garantuesit kryesore të furnizimit cilësor me energji të klientëve të rregullt të CEZ Shpërndarje, po bëhet gjithmonë e më e vështirë sepse persona abuzivë që preken direkt nga kjo nismë e fundit janë duke ndërhyrë në rrjet, duke tentuar për tu rilidhur sërish në mënyrë të paligjshme dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në linjat e tensionit të mesëm, njofton CEZ.
Në fund, kompania njofton klientët debitorë për një skemë lehtësuese të pagesave të faturave, çka do të sjellë në rilidhjen e energjisë elektrike.
CEZ Shpërndarje është e angazhuar për ti ofruar një shërbim sa më cilësor klientëve të saj të rregullt, të cilët paguajnë për energjinë që konsumojnë.
Për lehtësimin e pagesave të prapambetura, CEZ Shpërndarje vë në dispozicion të klientëve të saj skemën lehtësuese për pagesë së detyrimeve me këste, nëpërmjet të cilës debitorët kanë mundësinë më të mirë për të shlyer borxhet kundrejt kompanisë, dhe të sigurojnë rilidhjen për furnizimi me energji. Për më shumë informacion, klientët tanë mund tju drejtohen Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit, te cilat janë të hapura nga ora 08:00 deri më 20:00. / G.N.