E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e minatorëve, Policia shpërndan me dhunë protestuesit



Jonida Tashi

Minatorët janë përplasur sërish me Policinë gjatë protestës së djeshme kundër qeverisë, që ishte e dyta për këtë vit, për plotësimin e kërkesave të tyre. Megjithëse fillimisht protesta ishte e qetë, pasi nuk kishte ndërhyrje nga ana e forcave policore, në orën 13:20 u shënua përplasja mes minatorëve dhe policisë. Shkak për këtë konfrontim deri trup më trup u bë lejimi i kalimit të automjeteve nga Policia në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vend të cilin, minatorët ishin vendosur për të bërë protestën para Kryeministrisë.
Përplasja
Me rastin e protestës së djeshme, minatorët kishin bllokuar rrugën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar kështu kalimin e automjeteve në bulevard. Por, rreth orës 13.00, duke parë edhe vendosmërinë e minatorëve për ta vazhduar protestën sa më gjatë, Policia lejoi automjetet të kalonin në Bulevard, duke hasur kështu në kundërshtimin e minatorëve protestues. Në këtë pikë, punonjësit e nëntokës janë konfrontuar me policinë, që sipas tyre kanë qenë punonjës të forcave speciale dhe të ndërhyrjes së shpjet. Edhe pas përplasjes, minatorët tentuan të bllokonin sërish bulevardin e madh për të vazhduar protestën, por nuk ja arritën dot qëllimit, pasi policia i largoi minatorët nga vendi para Kryeministrisë, për t’i dhënë fund protestës, duke i zhvendosur ata në zonën përpara dy kullave binjake. Përplasja e djeshme e minatorëve me policinë është e dyta, pas protestës së muajit shkurt të këtij viti. Edhe në protestën e parë për këtë vit, minatorët tentuan të hyjnë në godinën e Kryeministrisë, por kordoni policor u “preu” hovin e nisur, duke shënuar kështu një përleshje për disa minuta trup më trup, fatmirësisht pa pasur të lënduar.
Pas protestës
Pas mbylljes së protestës së djeshme, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, deklaroi se ata kishin vendosur ta vazhdonin sa të gjatë të ishte e mundur protestën, me shpresën se gjatë qëndrimit, atyre do t’u bashkoheshin dhe qytetarët. Ndërkaq, lidhur e përplasjen që protestuesit kanë pasur me policinë, Xibri ka pohuar se ndërhyn forcat speciale, dhe se kryeministri po e përdor shtetin në funksion të vetë. “Dhuna ishte e fshehtë, por ishte reale, sepse forcat e ndërhyrjes së shpjet hidhnin gurin dhe fshihnin dorën. Ne u munduam t’i orientonin minatorët që të mos reagonin. Ne nuk iu përgjigjëm dhunës. Kryeministri të mos fus në lojë forcat speciale, sepse kjo bëhet çështje personale”,- ka sqaruar Xibri. Ndërsa lidhur me marrjen e vendimit për mbylljen e protestës së djeshme, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë, kreu i minatorëve ka shpjeguar se ajo përfundoi për shumë arsye, por më kryesorja ishte se të gjithë protestuesit ishin të lagur deri në palcë nga shiu dhe gjendja e tyre shëndetësore me ilaçe në xhep, nuk e përballonte dot më vazhdimin e saj. “Mblodhëm një këshill të shpjet brenda protestës, duke e mbyllur protestën për shumë arsye, ishin të gjithë të qullur, por caktuam që protesta e radhës të bëhet në datën 15 mars, por nuk është vendosur ende vendi ku do të bëhet ajo. Për të caktuar vendin e protestës së radhës do të mblidhet sërish Këshilli i sindikatës. Nesër do të kemi një numër krejt tjetër pjesëmarrje, jo të ndikuar nga politika, por kryeministri duhet të ballafaqohet me problemet që ne kemi”,- ka përfunduar kreu i minatorëve deklaratën pas mbylljes së protestës.
Nisja
Ashtu siç kishin lajmëruar prej ditësh, minatorët kanë protestuar sërish dje para godinës së Kryeministrisë. Ndërkohë policia, nga ana e saj, kishte marrë të gjitha masat, duke forcuar kordonin me efektivë para godinës qeveritare. Nën reshjet e shumta të shiut, rreth orës 11:00 minatorët u grumbulluan dhe pas disa minutash marshuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fillimisht ata protestuan qetësisht para selisë së Kryeministrisë me pankarta në duar ku kërkonin përmirësimin e statusit të tyre, duke deklaruar se po jetojnë nën minimumin jetik. Gjatë protestës, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri bëri të ditur se do të protestojnë pambarim deri në plotësimin e kërkesave të tyre. “Berisha ose të plotësojë kërkesat tona, ose të dorëhiqet”,- tha Xibri. Kërkesat e tyre, krahas Statusit të Minatorit janë të përqendruara tek anulimi i rritjes së çmimit të ujit, energjisë, telefonisë, kërkesa këto që u kërkuan të zgjidheshin që në muajin dhjetor të vitit të kaluar. “Ne kemi shtuar në kërkesat tona edhe kërkesën për anulimin e rritjes së çmimit të energjisë, ujit dhe telefonisë, për ligjërimin e pagës së 13-të dhe pensionit të 13-të, për shpalljen zyrtarisht të minimumit jetik”, - bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Në përkrahje të tyre, minatorët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të tjerë për të kërkuar njëzëri uljen e çmimeve. Sipas Sindikatës së Minatorëve, disa nga kërkesat e paraqitura prekin të gjithë shoqërinë shqiptare.

Deklarata

Policia e Tiranës: “I larguam protestuesit, pasi përfundoi orari i protestës”

Pasditen e djeshme, pas mbylljes së protestës së minatorëve, ka reaguar Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, duke deklaruar se protestuesit i larguan, pasi përfundoi orari i përcaktuar i protestës. Sipas deklaratës së Policisë së Tiranës, Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, përmes një shkrese, dërguar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ka njoftuar mbi zhvillimin e një tubimi paqësor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara selisë së Kryeministrisë. Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë, në përgjigjen e kthyer Sindikatës së Minatorëve, ka vendosur marrjen e masave për sigurimin e rendit e të qetësisë publike dhe garantimin e zhvillimit normal të tubimit më 4 mars 2010, ora 11.00 deri më 13.00, përpara selisë së Kryeministrisë Tiranë, pa u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve automjeteve në rrugë, si dhe pa cenuar punën normale të institucioneve, duke respektuar distancat e sigurisë së tyre. “Pas përfundimit të kohës së miratuar për tubim (ora 13.00), oficeri i Policisë, përgjegjës për të vëzhguar zhvillimin e tubimit dhe për të bashkëpunuar me drejtuesin dhe personat ndihmës, për mbarëvajtjen e këtij tubimi, i ka kërkuar zyrtarit, drejtuesit të tubimit, Fiqiri Xibri, të ndërpresë tubimin dhe të largojë pjesëmarrësit qetësisht, me qëllim qarkullimin e automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,- shkruhet në deklaratën e Policisë së Tiranës.

Migracioni
UNICEF: Mbi 4 mijë fëmijë shqiptarë po rriten me një prind

Mbi 4 mijë fëmijë shqiptarë, të grupmoshës 0-17 vjeç po rriten në familje vetëm me njërin prej prindërve si pasojë e migracionit. Ky është konstatimi i nxjerrë nga studimi më i fundit i UNICEF-it, “Migracioni shqiptar-ndikimi i tij në jetën ekonomike dhe sociale të fëmijëve të lënë pas”, sipas të cilit, fëmijët rriten në familje vetëm me një prind, pasi tjetri nuk është prezent në rritjen dhe problemet e përditshme, ç’ka i privon në këtë mënyrë nga e drejta e një afeksion emocional të plotë në familje. Studimi vë në dukje se mungesa e modeleve mbi rolin e nënës dhe babait u rrit riskun fëmijëve për të kaluar një zhvillim dhe socializim të vështirë, veçanërisht në adoleshencë. “Natyra e parregullt e emigrimit të një pjese të madhe prindërish ka ndikuar dhe po ndikon negativisht në bashkimin e familjes. Fëmijët dhe familjet e lëna pas, përgjithësisht janë të mbrojtur ekonomikisht nga remitancat e dërguara, por të pambrojtur nga qëndrimi ‘neutral’ i strukturave publike të shërbimeve sociale”,- thuhet në studim. Por specialistët e UNICEF-it, shprehen se ky studim ka nevojë të pasohet nga studime të tjera cilësore, të cilat të mund të formulojnë politika për zbutjen e problemeve emocionale. Nga ana tjetër, ata thonë se është e nevojshme që adresimi i nevojave që lidhen me emigracionin nga pikëpamja e të drejtave, kërkon ndërhyrje jo vetëm nga Shqipëria si vend origjine, por edhe në shtetet e destinacionit. Të dhënat e studimit tregojnë se rreth 98.5% e familjeve me fëmijë të lënë pas, kanë babanë në emigracion jashtë Shqipërisë, ndërsa në përqindje të papërfillshme me 1.2% janë rastet kur kanë emigruar të dy prindërit, duke lënë fëmijët nën kujdesin e familjes së zgjeruar. Akoma më rrallë janë rastet kur gruaja emigron, që ndodh në 0.3% të familjeve. Që pas viteve 90’ numri i shqiptarëve që kanë emigruar arrin në rreth 1 193 mijë. “Gjeografia” e emigrimit të tyre gjendet në Greqi (6 mijë), Itali (250 mijë), SHBA (150 mijë), Mbretëria e Bashkuar (50 mijë), Belgjikë (5 mijë), Francë (2 mijë), Kanada (11 500), Zvicër (1500), Austri (2 mijë), Vendet e Ulëta (1000) dhe Turqi (5000).

5 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›