Liria e besimit, liri themelore qe nuk mund të preket
Deklaratë e Konferencës Ipeshkvore Shqiptare në lidhje me një sentencë të Gjykatës së Strasburgut për rastin “Sindicatul Pastoral cel bun c. Romania (nr. 2330/09)”
Me anë të kësaj deklarate Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë dëshiron të shprehet në lidhje me sentencën e datës 31 janar 2012 të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg që ka të bëjë me rastin Sindicatul Pastoral cel bun c. Romania (nr. 2330/09) në të cilën, sipa vlerësimit të Konferencës Ipeshkvore, shkelen disa parime ndër të cilat ai i lirisë së besimit dhe ai i autonomisë së ndërsjelltë midis rendit civil dhe atij kishtar.
Me anë të kasaj sentence Gjykata e Strasburgut i jep të drejtë një grupi priftërinjsh dhe laikësh ortodoksë rumun të krijojnë një Union sindakal brenda Kishës Ortodokse Rumune, gjë e cila nuk është pranuar nga Hierarkia kishtare vendase e rrjedhimisht edhe nga shteti rumun i cili ka refuzuar regjistrimin e ketij Unioni sipas nje arsyetimi në përkim me ligjet e vendit ne fuqi.
Ne kete rast Gjykata e Strasburgut jo vetëm nuk ka marrë parasysh parimin e subsidaritetit që i jep të drejtën Gjykatës vendase të interpretojë ligjet e saja, por gjithashtu cënon lirinë e besimit dhe merr mbi vete kompetenca që nuk mund t’i ketë, si p.sh. interpretimin e natyrës së Kishës dhe të priftërisë së krishterë. Duke trajtuar marrëdhëniet e brendshme të Kishës thjesht në logjikën e punëmarrësit e të punëdhënësit, Gjykata e të Drejtave të Njeriut, me anë të kësaj sentence, ndërhyn në punët e brendshme të një bashkësie fetare të caktuar. Gjykata duke dashur të ruajë nenin 11 të Konventës së të Drejtave të Njeriut që sanksionon të drejtën asociative, anashkalon nenin 9 dhe 11 të po të njëjtës Konventë ku sanksionohet e drejta e besimit e rrjedhimisht edhe e organizmit të brendshëm të komuniteteve kishtare sipas një logjike autonomie nga shteti.
Kisha Katolike në Shqipëri, sikurse edhe shumë vende të tjera lindore, është e ndjeshme ndaj logjikave të tilla ndërhyrjeje. Këto logjika kanë çuar në shumë vende të lindjes në kohën e komunizmit në krijimin e shoqatave pro-sistemit komunist të priftërinjve si në Rumani, Sllovaki, Jugosllavi dhe përpjekja që u bë në Shqipëri për krijimin e kishës kombëtare shqiptare që për fat të mirë nuk u arrit. Ky rast shihet nga ana e KISH si një precedent i rrezikshëm që mund të prekë në të ardhmen edhe vende apo bashkësi të tjera.
Prandaj KISH shpreson që “Grand Chambre”, në apelimin që ka ndërmend të bëjë Kisha ortodokse rumune, të rishikojë këtë vendim dhe të mbrojë me një vendim tjetër të drejtën themelore të besimit dhe të organizmit të brendshëm të komuniteteve kishtare sipas ligjeve kanonike të secilit komunitet sanksionuar në Konventën e të Drejtave të Njeriut. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë beson se me të vërtetë ekzistenca autonome e bashkësive religjioze është e domosdoshme për pluralizmin në një shoqëri demokratike.
Fokus - Shtatë vjet me Benediktin XVI, Papën e gëzimit/Kisha kremton sot me mirënjohje ndaj Zotit, shtatëvjetorin e zgjedhjes së Jozef Ratcinger në Katedrën e Shën Pjetrit. “Punëtor i përvuajtur në vreshtin e Zotit”. Më 19 prill 2005, Benedikti XVI i paraqitej kështu botës. Kanë kaluar shtatë vjet, që asokohe. Shtatë vjet, gjatë të cilave bariu, sa i butë, aq i fuqishëm, i Kishës Universale, e udhëhoqi me dorë të sigurtë e zemër bujare, barkën e Shën Pjetrit.
Imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos, në mikrofonin e Radio Vatikanit, e shikon kështu këtë papni: “Është papni dramatike dhe e ndritshme njëkohësisht. Dramatike, sepse i përket kohëve dramatike, kohë ndeshjesh ndërmjet qytetërimeve, në të cilat Papa i është kundërvënë me forcë çdo forme të dhunës. Por edhe kohë e krizës së madhe, që përshkon katundin global, botën e madhe-të vogël, të cilës Papa iu përgjigj me largpamësi, duke themeluar edhe një këshill papnor për ungjillëzimin e ri. Pikërisht në këtë kohë dramatike, të bie edhe më shumë në sy shkëlqimi i mesazhit të Benediktit XVI, që vijon me guxim ta ftojë botën të ecë në gjurmët e Krishtit, të shpresojë e ta shikojë krishterimin si rrugë të mundshme edhe për shpëtimin nga kriza aktuale. Këtë e shikojmë në ngulmimin e Papës mbi temat e mëdha të krishterimit, posaçërisht mbi temën e fesë, domethënë, të risimit të vërtetë, që ia kërkon me këmbëngulje të madhe, sidomos, Kishës”. Ashtu si Paraardhësi i tij i dashur, edhe Benedikti XVI vë me forcë theksin mbi rolin e lëvizjeve laikale në ungjillëzimin e ri. Temë e fortë, që i përshkon këto shtatë vjet papnie, për të cilën flet kryetari italian i lëvizjes “Risimi në Shpirtin Shenjt”, Salvatore Martinez, që i kujton takimet e tij me Papën: “Duke vënë në dukje dy kujtime. I pari, dhjetë muaj pas zgjedhjes, audienca ime private me Papën, në të cilën e ndjeva menjëherë se po takohesha me ‘Papën e mirë’, fisnik, sa në mendime, aq në vepra. Rrëshajët historike me lëvizjet, pastaj, në të cilat Bendikti XVI theksoi me forcë temën e madhe të karizmave. Është papni, që i fton laikët t’ia hapin edhe një herë rrugën e shpresës, Ungjillit të shpresës”. Këto shtatë vjet Papa ka ngritur vazhdimisht zërin në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, të shpërfytyruar nga dhuna, nga egoizmi, nga mjerimi. Është bërë, kështu, zë i atyre që nuk kanë zë. Këtë nënvizon motra Eugjenia Boneti, misionare e Zojës së Ngushëllimit, drejtoreshë e zyrës “Kundër tregtisë së grave e të vajzave të mitura”, pranë USMI-t(Bashkimi i Kryeproreve Rregulltare): “Këto vite të Papnisë na kanë dhënë shumë, sepse në Benediktin XVI kemi gjetur një atë, që di të na dëgjojë, që di t’i dallojë kërkesat urgjente të së sotmes, posaçërisht emergjencat e emigracionit, të shfrytëzimit të njeriut. Atë e Bari, na jep forcë ta vijojmë impenjimin tonë, që çdo njeri të jetojë me dinjitet, sepse i dashur nga Zoti e i krijuar sipas shembëlltyrës së Tij”. Temë tjetër, që e dallon papninë e Benediktit XVI, është ajo e dialogut të frytshëm ndërmjet fesë e arsyes, impenjim që vlerësohet shumë nga gjenetisti Anxhelo Veskovi, kryetar i Komitetit shkencor të Neurothon: “Na ka dhënë drejtimin, duke na treguar si të ecim. Flas kryesisht për sektorin tim, të sëmundjeve degjenerative e të mjekimit me qelizat staminale. Papa më ka mësuar ta respektoj jetën njerëzore në çdo rrethanë, sidomos, kur punohet për të shëruar njerëzit, që vuajnë. Natyrisht, mësimet e Papës janë dritëdhënëse në rrugën tonë. Pata rastin ta njoh Atin e Shenjtë nga afër, e mund të them se më la një përshtypje të thellë, të paharrueshme. Duke ia ngulur sytë syve të tij, pashë në ta një paqe, që rrallë herë e kam parë”.
Miqësia me Krishtin, shenjë dalluese e papnisë së Benediktit XVI/Benedikti XVI shënon sot 7 vjetorin e papnisë, ngjarje që gëzon mbarë Kishën katolike. Të shumta mesazhet dhe urimet nga e gjithë bota, për njeriun e dashuruar me Zotin e me Kishën, bariun shpirtëror në shërbim të së Vërtetës e të paqes ndërnjerëzore. Që nga fëmijëria, miqësia me Jezu Krishtin karakterizon jetën e Jozef Racinger. Vetë Papa Benedikti XVI e kujtoi këtë fakt me mirënjohje, me rastin e ditëlindjes së 80-të më 15 prill 2007: “Miqësia e Jezu Krishtit është miqësia e Atij, i cili na bën njerëz që falim, e Atij që na fal, na largon vazhdimisht nga dobësia jonë e kështu, na edukon, na ndikon vetëdijen e detyrës së brendshme të dashurisë, e detyrës për t’iu përgjigjur besimit të tij në besnikërinë tonë” (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”. Jozefi i vogël lindi më 16 prill 1927, e Shtuna e Madhe. Papa i ardhshëm pagëzohet në të njëjtën ditë e kështu, nënvizon ai vetë, lindja qe “shenja e fillimit të Pashkëve”. Në të njëjtën ditë u bë anëtar i familjes së vet dhe i familjes së madhe të Zotit: “Falenderoj Hyjin, sepse kam mundur të provoj se ç’do të thotë “familje”; kam mundur të provoj se ç’do të thotë atësi, kështu që emri i Zotit si Atë m’u bë i kuptueshëm nga brenda; mbi bazën e përvojës njerëzore m’u hap rruga drejt Atit të madh e të mirë, që është në qiell. (Homelia e 15 prillit 2007, Sheshi i Shën Pjetrit)”. Gjithnjë me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Benedikti XVI kujtoi se si ai u thirr nga Zoti për t’u bërë meshtar. Një dhuratë e re dhe shumë kërkuese, siç thotë Papa: “Në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, Apostuj, në vitin 1951, kur ne – mëse dyzet shokë – ndodheshim në katedralen e Frizingës të shtrirë mbi dysheme e kur mbi ne kërkohej ndërhyrja e të gjithë shenjtorëve, vetëdija se isha krejt i mangët para kësaj detyre më rëndonte. Po, më ngushëllonte fakti se mbrojtja e shenjtorëve të Zotit, e të gjallëve dhe e të vdekurve, kërkohej për ne. E dija se nuk do të mbetesha vetëm”.
E për thirrjen e tij meshtarake, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger foli gjerësisht në takimin me të rinjtë e dioqezës së Romës, më 6 prill 2006. Benedikti XVI kujtoi situatën e vështirë në të cilën u rrit në Gjermaninë naziste, që dëshironte t’i hiqte qafe meshtarët. Por, kujton Papa, pikërisht për të kundërshtuar brutalitetin e regjimit, kishte nevojë për meshtarë, për zëra të fortë që të shpallnin Ungjillin: “Në këtë situatë, thirrja për meshtar u rrit gati natyrshëm sëbashku me mua e pa ngjarje të mëdha kthimi në rrugën e Zotit. Gjithashtu, dy gjëra më kanë ndihmuar në këtë rrugë: që fëmijë, i ndihmuar nga prindërit e famullitari, zbulova bukurinë e Liturgjisë dhe e kam dashur gjithnjë e më shumë, sepse ndjeja se në të duket bukuria hyjnore e hapet zemra para qiellit”. Dashuri për liturgjinë, pra, por edhe për teologjinë, “aventurën e madhe të dialogut me Zotin”. Megjithatë, u thotë Papa të rinjve, gjatë viteve të para të meshtarisë nuk mungojnë vështirësitë, por ato kapërcehen duke ia besuar veten krejtësisht Krishtit: “Duke qenë njeri me formim teorik e jo praktik, e dija se nuk mjafton ta duash Teologjinë për të qenë meshtar i mirë, por është e nevojshme edhe të jesh gjithnjë i gatshëm për të ndihmuar të rinjtë, meshtarët, të sëmurët, të varfërit; është e nevojshme të jesh i thjeshtë me të thjeshtët. Teologjia është e bukur, por edhe thjeshtësia e fjalës dhe e jetës së krishterë është e nevojshme. E kështu, pyesja veten: a do të jem në gjendje ta jetoj gjithë këtë e të mos jem i njëanshëm, vetëm teolog apo tjetër? Zoti më ndihmoi e sidomos, më ka ndihmuar shoqëria e miqve, e meshtarëve dhe e mësuesve të mirë”.