E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta n’Spanjë, probleme n’Greqi

Spanja po përgatitet për propozimin e qeverisë për buxhetin e vitit 2013. Buxheti i ri pritet të ketë edhe më shumë shkurtime, dhe të tensionojë kështu edhe më tepër ekonominë e vendit. Vendime të ngjashme priten edhe në Greqi.

Të enjten, Qeveria e kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, pritej të prezantonte shkurtime të reja në buxhetin e vitit të ardhshëm, në një vlerë prej afro 39 miliardë eurove. Paraprakisht, të mërkurën kryeministri Rajoy la të hapur mundësinë që Spanja mund të ketë nevojë edhe të aplikojë për një plan ndërkombëtar të shpëtimit – të ngjashëm me atë të Greqisë.

Së këndejmi, është e pritshme që Rajoy të dërgojë porosinë se Spanja mund të bëjë shkurtime, pavarësisht recesionit të lartë dhe papunësisë në vend, në shkallë prej 25 përqind. Për më tepër, papunësia në mesin e të rinjve është rreth 50 përqind.

Ndryshe, protestat kundër shkurtimeve dhe masave të kursimit në Spanjë kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së enjte, kur me mijëra spanjollë u tubuan para Parlamentit të vendit.

Sytë nga Athina

Ndërkohë, udhëheqësit e koalicionit qeveritar në Greqi pritej të takoheshin gjatë ditës së enjte, për të finalizuar detajet e fundit për raundin e dytë të masave të kursimit. Në fakt, Greqia duhet të kursejë afro 10 miliardë euro, në mënyrë që të kualifikohet për këstin e ardhshëm të ndihmës monetare të bashkësisë ndërkombëtare.

Por, ndër çështjet më të debatueshme ende mbeten ulja e pensioneve, zgjidhja e tepricës së punonjësve në shërbimet publike, dhe shtyrja e moshës së pensionit në 67 vjet.

Kryeministri grek, Antonis Samaras, javën e ardhshme do të prezantojë në parlament projektbuxhetin e ri, i cili pritet të kundërshtohet fuqishëm nga opozita.

Ndryshe, afro 50,000 njerëz protestuan të mërkurën nëpër rrugët e Athinës, ndërkohë që edhe pjesa tjetër e vendit u përfshi nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe. Nga atje të enjten u raportua për konflikte mes protestuesve dhe policisë.

Ndryshe, planet e masave të kursimit për Greqinë po shqyrtohen nga trojka ndërkombëtare (Bashkimi Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane), e cila muajin e ardhshëm do të vendos nëse këto plane i përmbushin kushtet për shpëtimin e Greqisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›