Zjarri nga bombola e gazit iu merr jetën çiftit të moshuar
Bedo dhe Fatime Mici, përkatësisht 82 dhe 79 vjeç, janë gjetur të pajetë në shtëpinë e tyre në fshatin Borsh
SARANDË Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Borsh të Sarandës, pasi si pasojë e shpërthimit të bombolës kanë humbur jetën dy të moshuarit, Bedo dhe Fatime Mici. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë ku në banesën e tyre ka shpërthyer një bombol gazi, ku si pasojë kanë mbetur të vdekur dy moshatarë, burrë dhe grua, Bedo Mici 82 vjeç, si dhe bashkëshortja e tij 79-vjeçarja, Fatime Mici. Dy të moshuarit prej vitesh jetonin vetëm në banesën e tyre në fshatin Borsh, pasi katër fëmijët e tyre jetonin prej vitesh emigrantë jashtë shtetit.
Ka qenë ora 20:30 e mbrëmjes së djeshme, kur Fatimeja kishte vënë sobën e gazit për t’u ngrohur. Por ka qenë një rrjedhje e gazit në pjesën e bombolës, e cila nuk ka qenë shtrënguar mirë nga të moshuarit dhe nga kjo rrjedhje gazi, ka shpërthyer fillimisht bombola dhe më pas flakët kanë përpirë të gjithë ambientet e banesës së dy të moshuarve. Kanë qenë banorët e fshatit Borsh, të cilët kanë parë flakë që dilte nga banesa e tyre dhe kanë shkuar menjëherë në ndihmë, por i kanë gjetur në gjendje shumë të vështirë pasi kishin marrë plagë të mëdha si pasojë e zjarrit që kishte pushtuar shtëpinë e tyre.
Sipas burimeve policore, 79-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa bashkëshorti i saj ka humbur jetën në spitalin e Sarandës, si pasojë e plagëve të marra.
Nga hetimet paraprake, sipas policisë së Sarandës, shpërthimi dyshohet se është shkaktuar nga rrjedhja e bombolës së gazit.
Por ky nuk është rasti i vetëm, kur bashkëshortët janë viktima nga mjetet me të cilat ngrohen apo edhe nga pakujdesia. Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar,
dy bashkëshortët, Gjyste dhe Gjokë Draga, 63 dhe 65 vjeç, në një fshat të Shkodrës kanë humbur jetën pasi kanë qenë në gjumë në momentin kur banesa e tyre është përfshirë nga flakët. Një sobë e lënë ndezur dyshohet të ketë shkaktuar tragjedinë në këtë familje. Nga hetimi rezultoi se viktimat kanë tentuar të dalin jashtë në momentin që ndien flakët. Ata janë ngritur nga krevati dhe kanë nxituar të dalin në derën kryesore të banesës. Por tymi i ka asfiksuar ata ende pa dalë jashtë. Çifti është gjetur pa jetë, pikërisht afër derës, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve.