Protesta në Mitrovicë, Sejdiu e Thaçi dënojnë dhunën
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë reaguar ndaj akteve të dhunës së serbëve, të cilët protestuan dje kundër kthimit të shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi iu referuan ndërprerjes së punëve në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës. Sipas Sejdiut, me veprimet e tyre serbët po tregojnë se janë kundër të drejtave njerëzore, ndër të cilat është edhe e drejta për kthim. Presidenti Sejdiu u bëri thirrje serbëve që të ruajnë qetësinë dhe të heqin dorë nga rruga që sjell dhunë. Ai përjashtoi mundësinë, që si pasojë e protestave serbe të ketë ndërprerje të punëve në rindërtimin e shtëpive në lagjen “Kroi i Vitakut”. Kundër ndërprerjes së punimeve në rindërtimin e shtëpive në Mitrovicë u shpreh edhe kryeministri Thaçi. Nga këto protesta mbeti i plagosur një serb i Kosovës nga përplasja me policinë. Plagosja e tij u bë me armë zjarri pas përplasjes mes banorëve dhe policisë kosovare dhe asaj të EULEX-it.
Xhozef Bajden, në maj do të vizitojë Kosovën
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhozef Bajden, do të vizitojë Kosovën së shpejti. Lajmi u bë i ditur nga mediat kosovare, duke iu referuar burimeve të sigurta në Uashington. Nga të njëjtat burime mësohet se Bajden do të qëndrojë në Kosovë gjatë muajit maj, ndërsa datat e mundshme të vizitës zyrtare pritet të jenë në periudhën ndërmjet 17 e 21 majit. Me vizitën në Prishtinë Zëvendës Presidenti Xhozef Bajden do të fillojë turneun e tij diplomatik në rajonin e Ballkanit dhe përveç vizitës në Prishtinë ai pritet të ndalojë edhe në disa shtete të tjera ballkanike mes të cilave edhe Serbinë. Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor i Kosovës dhe një nga vendet e para që njohu pavarësinë e shtetit të ri. Më herët, Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton refuzoi të takonte ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç në Uashington për mosangazhim të vendit të tij, ndaj zgjidhjes së çështjeve lidhur me Kosovën.
Busek: “Të njihen pasaportat e Kosovës”
Në Komisionin Europian nuk ka pasur diskutime në lidhje me statusin e pasaportave të Kosovës, por duhet thënë se ato shtete që e kanë njohur Kosovën, duhet të njohin edhe pasaportat e Kosovës. Kështu u shpreh Erhard Busek, këshilltar special i Çekisë shtet i cili aktualisht ka Presidencës e radhës të BE-së. “Në emrin tim personal mund të them se mendoj që Kosova duhet të trajtohet si të gjitha vendet e tjera të rajonit. Mendoj se do të ishte më mirë po qe se pasaportat e Kosovës do t'i njihnin edhe shtetet e tjera të rajonit”, është shprehur diplomati austriak Busek për të përditshmen “Blic”, i pyetur se si duhet t’i trajtojë Komisioni Europian pasaportat e Kosovës. Ai shprehu bindjen se ky proces do të jetë i suksesshëm edhe pse po has në vështirësi.
Përleshje në Stamboll, vdesin dy persona
Dy persona gjetën vdekjen gjatë përleshjeve me armë zjarri mes policisë turke dhe militantëve majtiste në mes të Stambollit. Viktimat janë një polic dhe një civil. Policia kreu një bastisje në një apartament ku mendohej se fshiheshin pjesëtarët e grupit. Sipas kryebashkiaut të Stambollit, Muamer Guler, militantët kishin shumë municione dhe mina. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u dëgjuan të shtëna dhe shpërthime. Disa policë u plagosën nga ciflat e mjeteve shpërthyese që u hodhën në erë. Sulmi ishte një ndër 60 të tilla, të ndërmarra gjatë natës kundër grupeve separatiste ekstremiste të majta, që po përgatisnin sulme në Turqi. Më shumë se 10 persona janë arrestuar, por mediat raportojnë shifrën 30.
28 Prill 2009