E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zhdukurit, dyshime për një varrezë masive pranë Prishtinës



Blerina Olldashi
Një varrezë masive dyshohet se ndodhet pranë Prishtinës në Kosovë. Lajmi u bë i ditur nga policia e këtij shteti dhe dyshimet lindën kur në polici u raportua për një kafkë njeriu dhe gjymtyrë të tjera, të cilat u gjendën gjatë punimit të tokës në Bërnicë të Sipërme, afër Prishtinës. Menjëherë në vend shkuan mjekë ligjorë, të cilët do t’i japin përgjigje përfundimtare çështjes, nëse ka apo jo varrezë masive në këtë zonë. Haki Kasumi, drejtues i njërës prej organizatave të angazhuara për fatin e personave të zhdukur ka shprehur dyshimin se në vend ekzistojnë akoma varreza masive të pazbuluara. “Nuk është siguruar asnjë informacion zyrtar që prej 10 vjetësh për 1907 persona. Po zvarritet çështja e mbi 400 mbetjeve mortore, të cilat po qëndrojnë të paidentifikuara në morgun e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Nuk është bërë ndonjë përpjekje serioze nga institucionet apo organizatat vendore që të hartojnë regjistrin komplet të qytetarëve të zhdukur, të vrarë dhe të plagosur të Kosovës”, - është shprehur Kasumi. Familjarët e 1900 personave të zhdukur këmbëngulin për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre. Thirrje dhe akuza janë bërë ndaj qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare për angazhim maksimal si dhe trysni ndaj qeverisë së Beogradit, e cila për shumë vite ka qenë adresa ku këta familjarë drejtonin akuzat. Këtyre akuzave tashmë nuk u shpëton as qeveria e Kosovës, e cila mendohet se nuk ka treguar gatishmëri serioze për formimin e mekanizmave profesionale për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur. Përveç Kosovës, ekzistojnë dyshime se edhe në Serbi ka varreza masive të pazbuluara. I angazhuar në këtë drejtim është edhe misioni europian për polici dhe drejtësi EULEX, megjithatë edhe ky mision e ka të vështirë të sigurojë informacione. “Që nga dhjetori i vitit 2008 ekspertët e EULEX-it kanë punuar me kolegët e tyre nga ministria e drejtësisë dhe ata në Zyrën për Personat e Pagjetur pranë UNMIK-u, për të gjetur një përgjigje për familjarët që kanë persona të zhdukur. Megjithatë, informacionet për varreza të reja të mundshme janë bërë më të vështira dhe pa informacione të besueshme, përparimi në këtë drejtim është shumë i vështirë”,- është shprehur një nga zyrtarët e EULEX-it. Prishtina zyrtare akuzon Beogradin për mosbashkëpunim dhe për fshehjen e informacioneve për të zhdukurit. Autoritet e Beogradit, katër vjet më parë zbuluan disa varreza masive në Serbi. Ata zhvarrosën kufomat e afro 900 shqiptarëve dhe ato iu dorëzuan autoriteteve kosovare. Mirëpo, autoritetet e Prishtinës thonë se Beogradi, duhet të japë të gjitha informacionet edhe për mijëra persona të tjerë që konsiderohen të zhdukur.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›